“Mane e meriton Topin e Artë”

  • 21 June 2019 - 18:27
“Mane e meriton Topin e Artë”

Mane është një ndër kandidatët për ta fituar “Topin e Artë”, pas sezonit mbresëlënës me Liverpoolin. Por, 27-vjeçari deri më tani është pas Van Dijk e Lionel Messi – të cilët po e sfidojnë njëri-tjetrin për çmimin prestigjioz individual.

Trajneri i Senegalit, Aliou Cisse, beson se paraqitjet e Sadio Manes në sezonin 2018/19 kanë qenë mjaftueshëm për të arritur deri te “Topi i Artë”, kurse triumfi në Kupën e Kombeve të Afrikës, “do të ishte një ndihmesë e madhe”.

Anësori i Liverpoolit e ndihmoi ekipin e Jurgen Klopp që ta fitojë Champions Leaguen duke e përfunduar sezonin si golashënuesi më i mirë i skuadrës, me 26 finalizime, 22 në Premierligë ku edhe fitoi Këpucën e Artë, që e ndau me Aubameyangun dhe shokun e skuadrës, Mohamed Salah.

Dhe Cisse mendon se pasi Luka Modric i dha fund dominimit 10-vjeçar të Lionel Messit dhe Cristiano Ronaldos për “Topin e Artë”, tani mund ta fitojë atë edhe 27-vjeçari.

Kur u pyet nëse Mane mund ta fitojë “Topin e Artë”, ai u përgjigj për Goal: Pse jo? Ai ka punuar shumë, jo vetëm vitin e kaluar, por që nga viti 2011, ka qenë profesionist i vërtetë”.

“Ajo çfarë ka arritur këtë vit është si rezultat i punës së madhe për shumë vite dhe triumfi në Kupën e Kombeve të Afrikës do të ishte një ndihmesë e madhe. Do ta afronte atë një hap më shumë drejt ‘Topit të Artë’, gjë që unë mendoj se e meriton ta fitojë”, shtoi trajneri i Senegalit.

Senegali do ta nisë aventurën në Kupën e Kombeve të Afrikës të dielën kundër Tanzanisë, derisa në Grupin C gjenden edhe Algjeria dhe Kenia. 

Image

(Kosova Sot Online)