Xhudo mëson shortin për Lojërat Evropiane “Minsk 2019”, kundërshtarja e Majlindës

  • 21 June 2019 - 21:38
Xhudo mëson shortin për Lojërat Evropiane “Minsk 2019”, kundërshtarja e Majlindës

Ekipi i xhudos ka mësuar sot shortin për garat e Lojërave të dyta Evropiane Minsk 2019.

Kampionia Olimpike Majlinda Kelmendi në kategorinë deri në 52 kilogramë, rrethin e parë e kalon pa luftë, ndërsa në rrethin e dytë takohet me fituesen e çiftit: Fabienne Kocher (Zvicër) – Reka Pupp (Hungari).

Edhe kampionia e Evropës, Nora Gjakova, në kategorinë deri në 57 kilogramë, rrethin e parë e kalon pa luftë, ndërsa në të dytin pret fituesen e çiftit, Ulyana Minenkova (Bjellorusi) – Priscilla Gneto (Francë).

Si Majlinda, ashtu edhe Nora do të garojnë të shtunën. Kategoritë e tyre i nisin garat në ora 9:45 dhe 10:00 me kohën tonë lokale. 

Distria Krasniqi, pavarësisht se ndodhet në short, nuk do të garojë për shkaqe shëndetësore.

Kampioni i Evropës (U-23), Akil Gjakova (kategoria -73 kg), po ashtu kalon rrethin e parë pa luftë, ndërsa në të dytin pret fituesin e çiftit Malik Umayev (Belgjikë)– Vadzim Shoka (Bjellorusi). Akili garon të dielën.

Xhudistja e fundit, Loriana Kuka (kategoria -78 kg), në rrethin e dytë (të parin e kaloi pa luftë), takohet me Katie-Jemina Yeats Brown të Britanisë së Madhe. Loriana garon të hënën.

Sipas trajnerit të tyre, Driton Kuka, shortin më të vështirë e ka Nora Gjakova.

Image

(Kosova Sot Online)