Nora Gjakova merr të argjendtën, tjetër medalje për Kosovën në Lojërat Evropiane

  • 22 June 2019 - 18:50
Nora Gjakova merr të argjendtën, tjetër medalje për Kosovën në Lojërat Evropiane

Xhudistja kosovare Nora Gjakova është shpallur nënkampione në kategorinë e peshave deri në 57 kilogramë në Lojërat Evropiane Minsk 2019, që po zhvillohen në Bjellorusi.

Nora Gjakova ia siguroi Kosovës medaljen e dytë në Lojërat Evropiane të këtij viti – pas të artës së Majlinda Kelmendit . Megjithatë, ajo e arriti vetëm medaljen e argjendtë, pasi që u mposht nga rusja Daria Mezhetskaia në finale.

Rrugëtimin drejt së argjendtës, xhudistja kosovare e filloi në fazën e 1/8 të finales, pasi që rrethin e parë e kaloi pa luftë. Në rrethin e dytë ajo pati punë me francezen Gneto Priscilla, të cilën e mposhti në “Golden Score”.

Pas triumfit në këtë fazë, Majlinda u përball me gjermanen Starke Pauline, të cilën e mposhti me ippon në çerekfinale.

Pas pak më shumë se dy minutave në përballjen në gjysmëfinale me italianen Monteiro Telma, Gjakova e siguroi vendin në finale dhe të paktën medaljen e argjendtë për Kosovën.

Pikërisht medaljen e argjendtë e mori në finale, pasi që rusja Mezhetskaia e mposhti atë me Waza-Ari. Herën e kaluar në këtë turne, Baku 2015, Gjakova e kishte mbyllur garën me medalje të bronztë.

Podiumi për kategorinë deri në 57 kilogramë kompletohet nga rusja Mezhetskaia, Nora Gjakova, gjermania Starke Pauline dhe portugezja Telma Monteiro.

Rreth gjysmë ore para meçit të Gjakovës, Majlinda Kelmendi ia fitoi Kosovës medaljen e parë të artë edhe ajo duke triumfuar kundër një xhudiste ruse, Natalia Kuziutina. 

(Kosova Sot Online)