E konfirmon drejtori sportiv i PSG-së: Neymari mund të largohet

  • 09 July 2019 - 08:21
E konfirmon drejtori sportiv i PSG-së: Neymari mund të largohet

Drejtori sportiv i Paris Saint-Germainit, Leonardo, ka thënë se Neymari është i lirë të largohet nga klubi, mirëpo ai thotë se nuk ka pasur ende asnjë ofertë, përkundër negociatave “sipërfaqësore” me Barcelonën. E ardhmja e Neymarit në PSG është vënë në dyshim këtë verë për shkak të spekulimeve se ai dëshiron të kthehet te ish-klubi i tij, Barcelona, ndërsa është folur edhe për interesim të Real Madridit.

Presidenti i Barcelonës, Josep Maria Bartomeu, tha javën e kaluar se braziliani dëshironte të largohej nga kampioni i Ligue 1, por i mohoi spekulimet se klubi katalonas do ta blejë atë duke thënë: “PSG-ja nuk dëshiron ta lejojë atë të largohet”.

Por, Leonardo tani ka zbuluar se kampioni francez është i gatshëm ta lejojë largimin e Neymarit nëse ndonjë klub bën ofertë mjaftueshëm të mirë.

“Neymar mund të largohet nga PSG-së, nëse ka ofertë që i përshtatet të gjithëve. Por, deri më tani, ne nuk e dimë nëse dikush dëshiron ta blejë atë apo për çfarë çmimi. E gjitha kjo nuk bëhet brenda ditës, kjo është e sigurt”, ka thënë Leonardo për Le Parisien.

“Është e qartë për të gjithë se Neymari dëshiron të largohet, por në futboll, ti thua diçka sot dhe nesër diçka tjetër. Është e mrekullueshme, por kjo është e vërteta”.

“Ne folëm me përfaqësuesit e tij gjithashtu. Të gjithë dinë gjithçka. Pozita është e qartë për të gjitha palët. Por, një gjë është e sigurt sot: ai i ka ende tre vjet në kontratën me ne dhe pasi që ne nuk kemi marrë asnjë ofertë, nuk mund të diskutojmë gjithçka”.

“Nuk kemi marrë asnjë ofertë. Por, është e vërtetë, ne kemi pasur negociata shumë sipërfaqësore me Barcelonën. Ata na thanë se dëshiron ta blejnë, por ne nuk ishim shitës. Bartomeu tha ashtu, por ne nuk e pamë që Barcelona ishte me të vërtetë në pozitë blerëse”.

Komentet e Leonardo erdhën në të njëjtën ditë kur PSG-ja bëri të ditur se do të ndërmarrin veprime ndëshkuese nga sulmuesit brazilian, pasi që ai nuk u shfaq për stërvitje të hënën, edhe pse babai i Neymarit tha se klubi ishte pajtuar që futbollisti të pushonte më gjatë.

“Ai nuk ishte këtu për stërvitje. Ai duhej të vinte dhe nuk erdhi. Por, ai e di që duhej të kishte qenë këtu. Ne do t’i analizojmë veprimet e mundshme, ashtu siç do të bënim për të gjithë punëtorët. Nuk e di kur do të vijë, gjithçka që di është se nuk erdhi me kohë”.

(Kosova Sot Online )