Trajneri i Shkëndijës: “Presim kualifikimin për në raundin tjetër”

  • 15 July 2019 - 17:58
Trajneri i Shkëndijës: “Presim kualifikimin për në raundin tjetër”

Osmani mendon se Shkëndija ka gjithçka në favor të saj pas fitores 1-0 në udhëtim ndaj Nomme Kalju, por ka kërkuar nga lojtarët të jenë të përqendruar pasi ende asgjë s’ka përfunduar.

Trajneri Qatip Osmani, në konferencë për shtyp para ndeshjes së kthimit me Nomme Kalju në raundin e parë kualifikues të Championsit, beson në kualifikimin e Shkëndijës, por është i vetëdijshëm se kuqezinjtë duhet të kenë kujdes dhe të eliminojnë gabimet që bënë në takimin e parë, përtej rezultatin pozitiv të arritur, 1-0.

“Pas ndeshjes së parë, brenda javës kemi analizuar gabimet që i bëmë në takimin e luajtur në Talin, ndërsa nesër presim që të marrim kualifikimin për në raundin tjetër”, – deklaroi Osmani.

Trajneri i kuqezinjve shpjegoi se nuk do të ketë ndryshime në formacion.

“Kemi rezultat pozitiv që na afron pranë kualifikimit në raundin tjetër, por e kemi marrë shumë me seriozitet ndeshjen e kthimit. Edhe pse e kemi atë përparësi 1-0, në futboll ndodhin befasitë, ashtu që duhet të hyjmë maksimalisht të motivuar për të fituar. Sa i përket formacionit, 99.9 % do të jetë ai që startoi në Talin”.

Ndeshja Shkëndija-Nomme Kalju zhvillohet të martën, në stadiumin “Todor Proeski” në Shkup, në orën 17:00.


(Kosova Sot Online)