Zbulohen detajet e takimit të madh mes Perezit dhe Zidane

  • 18 July 2019 - 13:36
Zbulohen detajet e takimit të madh mes Perezit dhe Zidane

Tri nga katër figurat më të rëndësishme të Real Madridit – Florentino Perez, Jose Angel Sanchez dhe Zinedine Zidane – u takuan të mërkurën për t’i diskutuar planet e klubit për sezonin e ardhshëm dhe për mënyrën se si do ta zvogëlojnë numrin e skuadrës në 25.

Klubi e kupton se duhet të bëhet punë urgjente në skuadër dhe prioriteti i tyre tani është shitja e lojtarëve. Ata janë duke planifikuar t’i marrin gjërat me ngadalë pasi që ka ende kohë deri në fund të afatit kalimtar.

Emri i Paul Pogba mbetet në diskutim dhe klubi e di se Zidane e do mesfushorin francez, mirëpo për momentin ai nuk është prioriteti i klubit.

Të gjithë në klub e pranojnë se duhet ta transferojnë të paktën edhe një mesfushor gjatë kësaj vere, por se kush do të jetë ky mesfushor do të varet nga çmimi dhe realizueshmëria e transferimit.

Ka shumë gjëra të cilat njerëzit kryesore në Real Madrid do të duhet t’i zgjidhin gjatë muajit të ardhshëm. Në takimin e tyre u diskutua për këto gjëra:

James Rodriguez dhe Atletico Madrid

Kolumbiani është duke i shijuar pushimet e tij për momentin, pas turneut të Kupës së Amerikës, dhe ai nuk do t’i bashkohet skuadrës së “Los Blancos” deri më 29 korrik.

Sapo të kthehet në skuadër, Real Madridi synon ta fillojë punën për ta zgjidhur situatën, mirëpo asnjëra palë nuk është duke u nxituar për ta bërë një gjë të tillë pasi që ka ende shumë kohë deri në fund te verës.

Atletico Madridi është i interesuar për Rodriguezin, bashkë me Napolin. Mirëpo, italianët e duan atë vetëm si huazim, gjë të cilët Real Madridi e ka refuzuar fuqishëm.

Largimi eventual i Jamesit nga Real Madridi do të bëjë që klubi të mundë t’i zgjidhë edhe disa probleme të tjera, si transferimi i Donny van de Beekut ose Pogbas.

Gareth Bale ka më shumë mundësi të qëndrojë sesa të largohet

Zidane e bëri të qartë qëndrimin e tij ndaj uellsianit sezonin e kaluar, mirëpo ai është i vetëdijshëm që Bale nuk dëshiron të largohet. Në anën tjetër, klubi e sheh atë si lojtar të rëndësishëm nëse qëndron në Madrid.

Ka më shumë mundësi që ai të qëndrojë në “Santiago Bernabeu” sesa të largohet, pasi që ai nuk dëshiron të largohet dhe e ka bërë të qartë këtë gjë.

Portierët dhe faza e mbrojtjes

Keylor Navas mund të mos largohet – për të ka oferta, mirëpo asnjë nuk është në shumën e kërkuar nga “Los Blancos” – kështu që Andriy Lunin do të tentojë ta gjejë ndonjë klub të La Ligës për të shkuar si huazim.

Ndërsa, në repartin e mbrojtjes, klubi madrilen është duke tentuar t’ia gjejë një klub Jesus Vallejos për ta dërguar në formë huazimi për sezonin e ardhshëm.

Situata e Dani Ceballos

Nëse Ceballos largohet këtë verë, ai do të shkojë si huazim – që është edhe dëshira e tij. Ai beson se, kur të fitojë më shumë përvojë, do të jetë kyç në mesfushën e Real Madridit, për shkak se Luka Modrici dhe Toni Kroos po shkojnë drejt fundit të karrierës së tyre.

Atij nuk i ndihmon aspak marrëdhënia e tij me Zidanen, mirëpo ai nuk dëshiron të dorëzohet në Real Madrid ende dhe klubi nuk dëshiron ta detyrojë atë të largohet, pasi që lëndimi i ndonjë futbollisti të skuadrës mund ta lërë ndonjë hapësirë për Ceballosin në skuadër.

Marco Asensio ka oferta

Njëri nga lojtarët të cilët, përkundër që nuk është spekuluar shumë, mund të largohet këtë verë është Asensio.

Klubi nuk dëshiron ta humbë atë, mirëpo ai po kërkohet nga një numër i klubeve evropiane. Pasi që “merkato” nuk do të mbyllet deri më 2 shtator, gjithçka mund të ndodhë.

Shumë punë për t’u bërë në fazën e sulmit

Eden Hazard, Vinicius Junior, Karim Benzema dhe Luka Jovici e ka vendin e sigurt, mirëpo shumë pak gjëra të tjera janë të sigurta për repartin e sulmit.

Rodrygo po shpreson ta zë një vend në ekipin e parë, e ardhmja e Lucas Vazquez është në dyshim dhe Borja Mayoral nuk do të vazhdojë karrierën me klubin, pasi që do të largohet ose në Levante, ose në Real Sociedad.

Brahim Diaz dëshiron të qëndrojë përkundër lëndimeve dhe garës për një vend në ekip të parë, ndërsa Mariano Diaz është ende pozitiv për të qenë pjesë e skuadrës madrilene edhe sezonin e ardhshëm.

Transferimi i Takefusa Kubo sjell edhe më shumë dyshime, pasi që disa persona mendojnë se ai duhet të luajë me Real Madrid Castillan, ndërsa disa preferojnë që ai të shkojë huazim.

Kylian Mbappe është Hazardi i ardhshëm

Real Madridi e di se është e pamundur ta lirojë Mbappen nga kontrata e tij me PSG-në tani dhe për këtë arsye drejtuesit e klubit janë të gatshëm të presin derisa t’i afrohet fundi i kontratës, në vitin 2022.

Një qasje të tillë klubi e kishte edhe në tentimet për ta sjellë Hazardin në “Santiago Bernabeu”.

(Kosova Sot Online)