Rikthehet Valon Berisha

  • 30 July 2019 - 13:00
Rikthehet Valon Berisha

Lazio e ka marrë një lajm të mirë: Valon Berisha do t’i bashkohet nesër pjesës tjetër të ekipit për t’i nisur përgatitjet për sezonin e ri. Të gjithë presin që në edicionin e ardhshëm ta shohin Valon Berishën e vërtetë

Në sezonin e kaluar ishte hija e lojtarit që e jemi mësuar ta shihnim, ndërsa në atë të riun ka hequr dorë nga përgatitjet në Auronzo për shkak të problemeve fizike, të cilat nuk e lanë ta tregonte vlerën e tij edicionin e shkuar.

Mirëpo, tash duket se Valon Berisha iu ka dhënë fund lëndimeve dhe duket se është gati për t’u rikthyer.

Ai e kishte një intervenim në miniskus në muajin prill dhe tash rehabilitimi ka marrë fund.

Nesër, përfaqësuesi kosovar do t’i bashkohet skuadrës në Marienfeld në mënyrë që të jetë gati për Lazion të paktën pas ndeshjeve të Kombëtareve, ndërsa vështirë se mund të shihet në ndeshjet me Sampdorian e Romën para shtatorit.

Të gjithë presin që këtë sezon ta shohin Valon Berishën e vërtetë.

Ndërkohë, mediat e huaja spekulojnë se Lazio mund ta huazojë ose shesë Berishën në Salzburg, prej nga e kishte blerë vitin e kaluar

(Kosova Sot Online(