Pesë gabime që Zidane duhet t’i përmirësojë para se të fillojë sezoni

  • 30 July 2019 - 15:40
Pesë gabime që Zidane duhet t’i përmirësojë para se të fillojë sezoni

Real Madridi udhëtoi në Munih të hënën dhe ata do të tentojnë t’i gëzojnë tifozët pas disfatës me rezultat 7:3 kundër Atletico Madridit me ndeshjet e “Audi Cup”, e cila fillon të martën.

Skuadra e Zinedine Zidane do të përballet me Tottenhamin në gjysmëfinale të martën në “Allianz Arena” para se të mundë të takohet me Bayern Munichun ose Fenerbahcen të mërkurën, shkruan Marca.

Për t’u rilidhur me tifozerinë e pakënaqur, Zidane duhet të punojë për t’i përmirësuar gabimet në skuadrën e Real Madridit që janë shfaqur deri më tani në turneun parasezonal. Marca shkruan se pesë gabimet që “Los Blancos” duhet t’i përmirësojnë për sezonin e ardhshëm janë këto:

Intensiteti

“Atletico e mori ndeshjen seriozisht, ndërsa ne e trajtuam sikur të ishte miqësore”, tha Zidane pas disfatës kundër skuadrës së Diego Simeones. Pas një sezoni ku mungoi intensiteti, përqendrimi dhe konkurrenca, puna e parë e Zidanit është që ta kthejë zjarrin në skuadrën e Real Madridit për ndeshjen kundër Tottenhamit.

Mbrojtja

“Los Blancos” i pranuan 12 gola në tri ndeshjet e para të turneut parasezonal dhe ata nuk do ta fitojnë asnjë trofe me një rekord të tillë. Puna e radhës për Zidanin është që ta përmirësojë repartin e mbrojtjes, ta ngushtojë distancën mes mbrojtjes dhe mesfushës dhe t’i ulë gjasat për gabime individuale.

Robert Lewandowski, Pierre-Emerick Aubameyang dhe Diego Costa e kanë shkatërruar mbrojtjen e tyre deri më tani këtë verë, ndërsa tani mbrojtja e madrilenëve do të përballet me Harry Kane.

Përqendrimi qysh nga fillimi

Real Madridi i ka nisur të tri ndeshjet miqësore deri më tani duke qenë në deficit. Bayern kaloi në epërsi qysh pas 15 minutash në Houston; Arsenali e shënoi golin e parë pas tetë minutave lojë në Uashington dhe Atletico shënoi pas vetëm 50 sekondave në New Jersey.

Përveç në ndeshjen kundër Arsenalit, skuadra e Zidanit nuk arriti të kthehet në lojë në këto ndeshje dhe kjo mund të jetë për shkak të inferioritetit të tyre në aspektin fizik.

Lidhja me Hazardin

Eden Hazardi ishte në formë të mirë kundër Bayernit, mirëpo nuk ishte aspak i përfshirë kundër Arsenalit dhe Atleticos. Askush nuk i dyshon aftësitë e tij, mirëpo Zidane duhet të punojë më shumë me sulmuesit e tij për ta bërë skuadrën më të mirë së bashku.

Belgu duhet të bëhet lideri i ri në vijën e sulmit të Real Madridit, por ai për momentin nuk është i lidhur me skuadrën dhe po e shfrytëzon vendin e Viniciusit në krahun e majtë të sulmit.

Rreziku i sulmit

Transferimi i Luka Jovicit nuk ka sjellë ende gola dhe skuadra duket e parrezikshme në fazën e sulmit në ndeshjet parasezonale. Disa prej lojtarëve që kanë shënuar deri më tani, si Gareth Bale dhe Marco Asensio, nuk do të jenë në ekipin e parë në të ardhmen e afërt.

Zidane shpreson se mesfushorët e tij mund të kontribuojnë sa i përket golave gjithashtu, mirëpo Toni Kroos dhe Luka Modrici nuk janë mësuar ta bëjnë një gjë të tillë, përderisa Viniciusi duhet të përmirësohet dhe Hazardi të përshtatet me skuadrën. 

(Kosova Sot Online)