Selmani e nis me trofe aventurën në Turqi

  • 09 August 2019 - 22:25
Selmani e nis me trofe aventurën në Turqi

Gentjan Selmani e nis në mënyrën më të mirë të mundshme aventurën e tij te skuadra turke e Menemenspor.

Ish-kapiteni i Laçit fitoi trofeun e Detit Egje pasi ekipi i tij mposhti në finale me rezultatin e pastër 3-0 skuadrën tjetër të ligës së dytë turke Altinordu.

Një fitore që u arrit edhe për meritë të Selmanit me kuqeziun që bëri një paraqitje të shkëlqyer duke qenë një nga më të mirët në fushë për Menemenspor.

Selmani evitoi 4-5 gola të sigurtë me ndërhyrjet e tij duke ruajtur portën të paprekur. Në turneun për të fituar trofeun e Detit Egje merrnin pjesë 4 skuadra nga qyteti i Izmirit me Menemenspor që mposhti fillimisht 1-0 Karsiyaka në gjysmëfinale në datën 7 gusht me Selmanin që edhe në atë sfidë ishte fantastik ndërsa në finale kulmoi me një tjetër paraqitje mbresëlënse.

Dy ndeshje dhe asnjë gol i pësuar, start më të mirë për portierin e kombëtares shqiptare nuk mund të kishte.
(Kosova Sot Online)