Samir Ujkani e komenton ardhjen e Milanit në Kosovë

  • 10 August 2019 - 18:01
Samir Ujkani e komenton ardhjen e Milanit në Kosovë

Portieri dhe kapiteni i Kosovës, Samir Ujkani, e ka komentuar ardhjen e Milanit në Prishtinë, duke thënë se kjo është një mundësi shumë e mirë për kosovarët që ta shohin një skuadër të këtij niveli, pasi që nuk mund të udhëtojnë lirshëm në Evropë.

Vetëm disa orë pas arritjes në Prishtinë, skuadra e Milanit do të dalë në fushën e stadiumit “Fadil Vokrri” për ta zhvilluar ndeshjen miqësore me Feronikelin në kuadër të turneut parasezonal.

Milani ka një grup të madh të tifozëve këtu në Kosovë dhe kjo është dëshmuar edhe nga pritja që u është bërë lojtarëve, stafit e legjendave të Milanit sapo zbarkuan në Prishtinë. Futbollisti i Kosovës, Ujkani, beson se kjo është një mundësi e veçantë për këta tifozë.

“Kjo është një mundësi e mirë për vendin tonë. Kosovarët nuk mund të udhëtojnë në Evropë pa leje. Kështu tani kjo është një mundësi e mirë për ta shikuar Milanin, është një mundësi e veçantë. Shpresoj se do të jetë një ndeshje fantastike”, ka thënë Ujkani për Acmilan.com.

Në këtë ndeshje miqësore drejtësinë do ta ndajë gjyqtari kosovar Genc Nuza, ndërsa ndihmësit e tij do të jenë Fatlum Berisha e Bujar Selimaj.

Përballja me Feronikelin do të jetë miqësorja e fundit për Milanin këtë verë, pasi që pas kësaj ajo do të bëhet gati për sezonin e ri të Serisë A, të cilin do ta nisë më 25 gusht.

(Kosova Sot Online)