Aksidenti fatal i Emiliano Salës, hetimet zbulojnë detaje të reja

  • 15 August 2019 - 18:51
Aksidenti fatal i Emiliano Salës, hetimet zbulojnë detaje të reja

Kur kanë kaluar 7 muaj nga aksidenti ajror që rezultoi fatal për sulmuesin argjentinas Emiliano Sala dhe pilotin anglez David Ibbotson, hetimet vazhdojnë dhe dinamika e ngjarjes është ende e pazbardhur plotësisht.

Aktualisht me hetimet po merret Dega e Investigimeve të Aksidenteve Ajrore, AAIB, e cila së fundi ka zbuluar disa detaje të reja, që mund të shpjegojnë edhe shkaqet e rrëzimit të avionit me të cilin sulmuesi po udhëtonte drejt Uellsit. 

Kështu në trupin e futbollistit argjentinas janë konstatuar sasi të dëmshme të monoksidit të karbonit, në nivele të tilla që mund të shkaktojnë atak kardiak, konvulsion apo humbje të vetëdijes.

Sipas hetuesve, është e mundur që edhe vetë piloti Ibboptson, trupi i të cilit nuk është gjetur ende, të jetë prekur nga niveli i larti i monoksidit të karbonit, i cili redukton ose zeron aftësitë drejtuese të avionit.

Pas zbulimit të këtij detaji, ka reaguar edhe përfaqësuesi ligjor familjes së Emiliano Salës, i cili ka thënë se me kohë, hetuesit do të zbulojnë se si ka arritur të depërtojë në brendësi të kabinës, një sasi aq e lartë monoksidi karboni.

(Kosova Sot Online)