Celina shfaq formë të mirë për Swansea City, në një kohë kur do t’i nevojitet edhe Kosovës

  • 21 gusht 2019 - 23:39
Celina shfaq formë të mirë për Swansea City, në një kohë kur do t’i nevojitet edhe Kosovës

Bersant Celina e ka shënuar golin e parë në edicionin e ri të Championship – nivelin e dytë të futbollit anglez – në fitoren e lehtë 3:1 të Swansea City ndaj QPR-së, duke shfaqur formë të mirë në një kohë kur së shpejti do t’i nevojitet Kosovës në ndeshje kualifikues për EURO 2020.

Mesfushori atakues Celina e shënoi golin hapës të City në këtë ndeshje në minutën e 29-të, kur u shërbye nga Andre Ayew. Ai ishte shumë i shpejtë për mbrojtjen e QPR-së, pasi vrapoi me top në këmbë pothuajse nga mesi i fushës dhe shënoi përballë portierit.

Baston dhe Sam Sturridge i shënuan dy golat e tjerë për Swansea, e cila ruan pozitën e dytë me 10 pikë, aq sa lideri Leeds.

Ky ishte goli i parë i 22-vjeçarit në katër ndeshje në sezonin e ri 2019/20 në Championship dhe vjen në një moment të mirë për të dhe për shpresat e Kosovës, e cila do të ketë nevojë për shërbimet e tij në fillim të shtatorit.

Kosova do t’i zhvillojë dy ndeshje shumë vendimtare në Grupin A kualifikues për Kampionatin Evropian 2020 kundër Republikës së Çekisë dhe Anglisë në fillim të muajit të ardhshëm.

Dhe për shkak të disa mungesave kryesore, siç është Arbër Zeneli, Hekuran Kryeziu dhe sipas të gjitha gjasave edhe Milot Rashica, kombëtarja dardane do të ketë shumë nevojë për Celinën.

Verdhekaltrit e presin Çekinë më 7 shtator në shtëpi, në stadiumin Fadil Vokrri, para se të udhëtoj drejt Southamptonit për t’u përballur me Anglinë në St Mary’s Stadium vetëm tri ditë më vonë. 

(Kosova Sot Online)