“Pulisic është Hazardi ose Robbeni i ri”

  • 23 August 2019 - 09:01
“Pulisic është Hazardi ose Robbeni i ri”

Ish-futbollisti i Chelseat, Tony Cascarino, beson se ylli i ri amerikan, Christian Pulisic, mund të bëhet Eden Hazardi ose Arjen Robbeni i ri, si dhe e ka vlerësuar atë si prurje të mrekullueshme për skuadrën e londinezëve.

Pritshmëritë për Christian Pulisic janë vendosur në një standard të lartë pasi ai u transferua në Chelsea për 73 milionë euro. Ai pritet të bëhet zëvendësuesi i Eden Hazardit, i cili u transferua këtë verë në Real Madrid.

Pulisici, i cili nënshkroi marrëveshje me anglezët në janar, ishte i vetmi përforcim i Chelseat për sezonin e ardhshëm, pasi që FIFA ua ndaloi atyre transferimin e lojtarëve këtë verë dhe në afatin kalimtar të janarit për shkak të disa parregullsive në klub.

Përderisa trajneri i ri i Chelseat, Frank Lampard, po tregohet i kujdesshëm me lëvdatat e tij për amerikanin, të njëjtën gjë s’po e bën edhe ish-lojtari i Chelseat, Tony Cascarino, në kolumnën e tij javore në The Times.

“Christian Pulisic duket si lojtar shumë i rrezikshëm për Chelsean. Nuk e mbaj që një Eden Hazard i ri ishte kaq i shpejtë dhe i drejtpërdrejtë. Nuk ka asnjë arsye që Pulisici nuk mund të zhvillohet dhe të bëhet lojtar i nivelit të Hazardit”, shkroi Cascarino.

“Pulisic ma kujton mua edhe Arjen Robbenin; nuk mund ta ndalësh atë një kundër një sepse ti nuk mund ta parashikosh se në cilën anë do të shkojë ai dhe shpejtësia e tij është vdekjeprurëse”.

Ta zëvendësosh Hazardin nuk është detyrë e lehtë, mirëpo Tony Cascarino është i sigurt për potencialin e Pulisicit, nga i cili pret të bëhet po aq i mirë sa belgu dhe Arjen Robbeni.

Pulisici shfaqi formë të mirë për ta krijuar golin e Olivier Giroud në Super Kupën e Evropës, kundër Liverpoolit. 

(Kosova Sot Online)