Shpaloset statuja e legjendës Johan Cruyff në Barcelonë

  • 27 August 2019 - 18:18
Shpaloset statuja e legjendës Johan Cruyff në Barcelonë

Barcelona e ka shpalosur një statujë në nder të legjendës së klubit, Johan Cruyff, pranë stadiumit të famshëm Camp Nou.

Miqtë dhe familjarët e ish-lojtarit dhe trajnerit të Barçës ishin prezentë në ceremoninë e shpalosjes së statujës për nder të tij.

Presidenti i Barcelonës, Josep Maria Bartomeu, iu adresua të pranishmëve duke nënvizuar atë që holandezi i kishte ofruar klubit dhe për rëndësinë e trashëgimisë që ai e ka lënë në klub.

“Kjo statujë do të jetë një kujtim i përjetshëm i Johan Cruyff dhe i asaj që ai përfaqëson. Johan Cruyff është pjesë shumë e rëndësishme e historisë, ekzistencës dhe ndjesisë sonë”, tha Bartomeu.

Barcelona po ashtu e ka emëruar stadiumin e ekipit B në emër të Johan Cruyff për nder të legjendës holandeze, i cili luajti për pesë sezone për klubin, nga 1973 deri më 1978, para se të kthehej si trajner nga viti 1988 deri më 1996. 


(Kosova Sot Online)