Futbollisti çek u befasua me ftesën, pret atmosferë të zjarrtë në Kosovë

  • 03 September 2019 - 16:25
Futbollisti çek u befasua me ftesën, pret atmosferë të zjarrtë në Kosovë

Lukas Kalvach ndihet mjaft i lumtur që u ftua nga Kombëtarja e Republikës Çeke për ndeshjet e shtatorit me Kosovën dhe Malin e Zi. Mesfushori çek pret atmosferë të zjarrtë në Kosovë më 7 shtator, por beson se ai me shokë do të dalin mirë nga stadiumi “Fadil Vokrri”.

Lukas Kalvach ka mbetur i befasuar me ftesën që e mori nga trajneri Jaroslav Silhavy për ndeshjet e shtatorit ndaj Kosovës dhe Malit të Zi, në kuadër të kualifikimeve të Euro 2020.

Trajneri polak e publikoi pak ditë më parë listën e futbollistëve, ndërsa në mesin e tyre është edhe mesfushori i FC Viktoria Plzen.

“Shokët e skuadrës (Plzen) erdhën në dhomat e zhveshjes dhe më treguan, nuk mund ta besoja. Mendoja se po bënin shaka”, ka thënë Kalvach me buzëqeshje pasi e mori ftesën.

“Isha i befasuar. E dija se isha në mesin e rezervistëve, në mesin e atyre që ishin në pritje, por nuk e prisja se do të ftohesha tash. Do të thotë shumë për mua ta përfaqësoj vendin tim. Është një tjetër hap në karrierën time”, nënvizoi Kalvach, i cili iu bashkua ekipit kombëtar në përgatitjet që po i bën në Pragë.

“Natyrisht, transferimi në Victoria Plzen më ka ndihmuar shumë pasi tash jam më shumë në sy të njerëzve. Dua ta shijoj këtë eksperiencë”, ka nënvizuar Kalvach.

Ndeshja e tij e parë mund të jetë pikërisht në Kosovë këtë të shtunë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Ai është i vetëdijshëm se në stadiumet e vendeve nga Ballkani, atmosfera është gjithmonë e zjarrtë.

“Ndoshta atmosfera do të jetë mjaft e ngjashme me atë që e kemi përjetuar me Plzenin në Piraeus (Greqi). Është mjaft e stuhishme dhe e zjarrtë. Është krejt ndryshe nga atmosfera në ligën çeke. Por, kur të fillojë loja, ne do të mundohemi t’ia dalim mbanë”, përfundoi futbollisti çek.

Ndeshja ndërmjet Kosovës dhe Republikës Çeke do të luhet këtë të shtunë në Prishtinë duke filluar nga ora 15:00. 

(Kosova Sot Online)