“Kërkova largimin e saj, Wanda dështoi bashkë me Icardin”

  • 04 September 2019 - 12:35
“Kërkova largimin e saj, Wanda dështoi bashkë me Icardin”

Gjatë episodeve të para të transmetuara nga “Tiki Taka”, shumë vunë në dukje se Wanda Nara ishte bërë gjithnjë e më e “papeshë” brenda programit. Në mënyrë të pashmangshme, “telenovela” midis Icardi dhe Interit, e cila mbajti ndezur merkaton e kësaj vere, pati pasoja në rolin e “showgirl”-it argjentinas brenda emisionit të njohur televiziv italian. Për ta sqaruar këtë, Pierluigi Pardo, duke folur për “Radio 24”, gjatë programit “Tutti Convocati”, u përpoq të hidhte dritë mbi të gjithë çështjen: 

“Telenovela Icardi? Historia që kemi përjetuar ishte surrealiste dhe strategjia e Wanda, sigurisht nëse kishte një të tillë, rezultoi dështim total. Lojtari është i fortë dhe dëshironte të luante. Ai gjithmonë mund të gjente një ekip për të luajtur. Sidoqoftë, një lojtar si Icardi, i cili shënoi 124 gola me Interin, të largohet në këtë mënyrë…” Po tashmë, cila do të jetë e ardhmja e Wanda Nara në “Tiki Taka”? “Unë po bëj një rrëfim shumë serioz dhe të sinqertë. Prania e saj në emision, në rast të vazhdimit të përplasjes me Interin, nuk përputhej me etikën time profesionale. Ua kam thënë edhe drejtuesve të televizionit, kjo mund të jetë e regjistruar”, – shton drejtuesi i emisionit.

Dy fjalë edhe për të ardhmen e sulmuesit argjentinas: “Interi tani ka interes ta mbështesë sezonin e mirë të Icardi, duke pasur parasysh të drejtën e shitjes përfundimtare. Ai kurrë nuk do të kishte luajtur më tek Interi, të gjithë thanë kështu. Me sa duket, nuk ishte një zënkë me Spalletti, kjo duhet thënë. Fjalët e Wanda? Sipas mendimit tim, ato nuk janë të mjaftueshme për të kërditur dhomën e zhveshjes së Interit. Sidoqoftë, nuk mund të deklaroni dashurinë ndaj një klubi dhe më pas ta padisni atë. 

Tashmë ka mbërritur një trajner i ri, i cili ka personalitet. Nëse Conte do të kishte gjetur tek Icardi cilësitë teknike dhe të sjelljes, që i pëlqen, nuk dua të besoj se ai nuk do t’i thoshte klubit: “Le të fillojmë nga Icardi”. Nëse askush nuk e dëshironte, ndoshta… Unë nuk dua të zvogëloj seriozitetin e gjërave që tha Wanda, të gjithë i kemi vërejtur. Nëse Icardi do të ishte sjellë si kapiten, do të kishte hyrë në dhomën e zhveshjes dhe do t’u thoshte bashkëlojtarëve: djema, shtrëngoni duart, mos u vini rëndësi këtyre fjalëve. Nga ana tjetër, duhet t’i kërkonte gruas të jetë e kujdesshme, të mos përsëriste të tilla episode”.

Një humbje për Wanda Nara dhe Icardi? “Absolutisht një humbje, e gjithë bota e di se paditi klubin e tij. Ndoshta skuadrat e tjera do ta kishin marrë atë, por nuk panë kompleksitetin e situatës. Në këto 10 muaj, Wanda dhe Icardi kanë humbur. Unë, gjithashtu, i thashë Wanda: “Nëse ai nuk gjen një ekip deri më 2 shtator, do të hysh në historitë më negative të futbollit italian. I thashë disa herë se Napoli dhe Roma do të ishin dy mjedise ideale për një lojtar me imazh katastrofik në muajt e fundit. Ai gjeti një zgjidhje ditën e fundit të merkatos, por nuk është fitore të shkosh si sulmues i katërt te PSG. Nëse ky është një triumf (i Wanda), atëherë unë nuk jam fort në rregull nga mendja”, – përfundoi Pierluigi Pardo. 

(Kosova Sot Online)