“Pa Rashicën, Zenelin… do të ishte mrekulli nëse marrim më shumë se një pikë në dy ndeshje”

  • 07 September 2019 - 11:31
“Pa Rashicën, Zenelin… do të ishte mrekulli nëse marrim më shumë se një pikë në dy ndeshje”

Kombëtarja e Kosovës është gati për ndeshjen më të rëndësishme në eliminatoret për Kampionatin Evropian “Euro 2020”.

“Dardanët” do të presin rivalin direkt për pozitën e dytë në Grupin A, Çekinë.

Përfaqësuesja e Kosovës dje zhvilloi seancën e fundit stërvitore, ku futbollistët janë parë në formë shumë të mirë dhe me entuziazëm para përballjes së sotme me çekët.

Duke folur për situatën aktuale që po mbretëron te Kosova, trajneri i mirënjohur kosovar Sami Sërmaxhaj ka thënë se pavarësisht mungesave në skuadër, shpreson në një sukses të Kosovës për dy ndeshjet e radhës.

“Mendoj që Kosova në këto dy ndeshje të radhës kundër Çekisë dhe Anglisë fatkeqësisht është e hendikepuar me lojtarë me shumë ndikim në rezultatet e ndeshjeve të fundiit si Kryeziu, Shala, Rashica dhe Zeneli, për të cilët mendoj se nuk ka alternativa të denja për t’i zëvendësuar”, tha fillimisht Sërmaxhaj për Zerin.

“Duke marrë parasysh këto mungesa në dy ndeshjet e radhës ndaj Çekisë dhe Anglisë, nëse marrim një pikë do të ishte gjë e mirë, por nëse ia dalim të marrim më shumë, do të ishte mrekulli”.

“Pavarësisht mungesave, jam optimist se përzgjedhësi ynë (Bernard Challandes) do ta bëjë më të mirën drejt kualifikimit të mëtutjeshëm”, u shpreh ish-trajneri i Ballkanit.

(Kosova Sot Online)