Interi e mposht Udinesen dhe përfiton nga gabimi i Juventusit

  • 14 September 2019 - 22:56
Interi e mposht Udinesen dhe përfiton nga gabimi i Juventusit

Pas lajmit për barazimin e Juventusit me Fiorentinën sot, tifozët e Interit i janë gëzuar edhe më shumë fitores kundër Udineses, pasi që tani zikaltrit e mbajnë kreun e ligës, me dy pikë më shumë sesa kampioni në fuqi.

Interi arriti ta mposhtë me epërsi minimale 1:0 Udinesen me dhjetë lojtarë në fushë, sonte në stadiumin “San Siro”, në kuadër të xhiros së tretë të sezonit të ri të Serisë A.

Interi e dominoi ndeshjen me 62% të posedimit të topit dhe pati plot 15 goditje më shumë sesa kundërshtarët në fushën e lojës. Dominimi i zikaltërve ishte edhe më i vërejtshëm pas minutën së 35-të të ndeshjes, kur Rodrigo De Pauli u ndëshkua me karton të kuq.

Nëntë minuta pasi Udinese mbeti me dhjetë lojtarë në fushë, Interi arriti të kalojë në epërsi, përmes Stefano Sensit, i cili u tregua i saktë para portës, pas një harkimi të mirë në zonë nga Diego Godini.

Në minutën e 80-të të ndeshjes, trajneri Antonio Conte u detyrua të bëjë një zëvendësim të detyrueshëm pasi që Matteo Politano mbeti i lënduar në fushë. Në vend të tij u inkuadrua i huazuari nga Manchester Unitedi, Alexis Sanchez, i cili luajti për herë të parë në shtëpinë e zikaltërve.

Me këtë rezultat, Interi e kryeson tabelën e ligës italiane, duke e vazhduar rekordin e përsosur në tri ndeshjet e para, ndërsa ndiqet nga pas nga Juventusi, që sot i humbi pikët e para të këtij sezoni, në barazimin 0:0 kundër Fiorentinës.

Tani, djemtë e Contes do të përqendrohen te ndeshja e radhës, e cila do të zhvillohet në mesjavë. Interi do të përballet me Slavia Prahan, në kuadër të edicionit të ri të Ligës së Kampionëve. 

(Kosova Sot Online)