Solskjaer: Le të mos gëzohemi shumë, mund të luajmë edhe më mirë

  • 15 September 2019 - 08:13
Solskjaer: Le të mos gëzohemi shumë, mund të luajmë edhe më mirë

Trajneri i Manchester Unitedit, Ole Gunnar Solskjaer, ishte i lumtur që e pa skuadrën e tij të fitojë 1:0 kundër Leicester Cityt, mirëpo e pranoi se ai nuk do të emocionohet më tepër sesa që duhet për  këtë rezultat pozitiv.

Pasi shkuan në një ecuri prej tri ndeshjesh pa fitore në Premierligës, “Djajtë e kuq” dëshironin me ngulm t’u ktheheshin fitoreve sot në ndeshjen kundër Leicester Cityt në “Old Trafford”.

Ata e nisën ndeshjen në mënyrën më të mirë të mundshme, pasi që Marcus Rashfordi i kaloi në epërsi përmes një penalltie në minutën e tetë të ndeshjes.

Manchester Unitedi u detyrua ta ruajë këtë rezultat deri në fund të ndeshjes për ta mbajtur portën e vet të paprekur dhe për t’i marrë tri pikët e ndeshjes, pasi që Leicesteri dëshironte ta vazhdonte rekordin pa disfatë në këtë sezon të ri të Premierligës.

Skuadra e Ole Gunnar Solskjaer arriti t’ia shkaktojë disfatën e parë të sezonit skuadrës së Brendan Rodgers, mirëpo norvegjezi e pranoi se skuadra e tij duhet të luajë edhe më mirë për t’i arritur qëllimet.

“Ne e mbajtëm rezultatin. Ishte hera e parë këtë sezon ku ne u detyruam të mbroheshim në pjesë të mëdha të sezonit”, tha norvegjezi në një intervistë për BBC Sport.

“Ne i kemi dominuar të gjitha ndeshjet, por sot ne e pamë një skuadër sot që mund të mbrohet në pjesën e vetë të fushës”.

“Ata e kanë një skuadër të mirë, që dëshiron të jetë në top katërshe. Është e mrekullueshme ta mbajmë portën e paprekur, por le të mos gëzohemi shumë sepse ne e dimë se ne mund të luajmë më mirë. Ne u mbrojtëm si një skuadër e vërtetë”.

(Kosova Sot Online)