Ironia e tifozëve të Real Madridit që po e kërkojnë kthimin e Jose Mourinhos

  • 20 September 2019 - 23:04
Ironia e tifozëve të Real Madridit që po e kërkojnë kthimin e Jose Mourinhos

Jose Mourinho i ka kryesuar sondazhet e tifozëve të Real Madridit, si njëri nga kandidatët më të kërkuar për të zënë vendin e Zinedine Zidane – shkruan Marca.

Fillimi i keq i sezonit nga Los Blancos, ka bërë që të shtohet presioni mbi legjendën franceze, i cili u rikthye në Santago Bernabeu për ta ringjallur skuadrën.

Mirëpo, deri më tani, asgjë nuk ka shkuar mirë, derisa humbja turpëruese nga Paris Saint-Germaini ka bërë që krerët e klubit madrilen të mendojnë për një zëvendësues. 

Njëri nga kandidatët për postin e trajnerit është përmendur edhe Mourinho, i cili e ka drejtuar skuadrën e Mbretërve për tri sezone (2010-2013). Tifozët e Realit kishin kërkuar edhe gjatë sezonit të kaluar që portugezi të kthehej.

Kjo është ironike për faktin se gjatë sezonit të tij të fundit në krye të Realit, tifozët ia kishin kthyer shpinën dhe kjo është një prej arsyeve të largimit të tij nga Santiago Bernabeu.

(Kosova Sot Online)