Alisson, 100 për qind gati për ndeshjen kundër Man Unitedit

  • 01 October 2019 - 16:08
Alisson, 100 për qind gati për ndeshjen kundër Man Unitedit

Portieri i Liverpoolit, Alisson, nuk do të kthehet në kohë për ndeshjen e së mërkurës në Ligën e Kampionëve, kundër Salzburgut, mirëpo ai është 100 për qind gati të përballet me Manchester Unitedin, pas ndeshjeve të ekipeve kombëtare.

Braziliani ka qenë jashtë skuadrës së Liverpoolit që kur e pësoi një lëndim në fitoren kundër Norwich Cityt, në ndeshjen hapëse të sezonit 2019/20 të Premierligës, transmeton Gazeta Express.

Fillimisht ishte shpresuar se ish-ylli i Romës mund të jetë gati që të luajë këtë mesjavë, mirëpo trajneri Jurgen Klopp nuk është i gatshëm të rrezikojë përkundër që vetë lojtari mezi po e pret kthimin e tij në fushë.

“Diça tjetër është mendimi i Alissonit e diçka tjetër ai i departamentit mjekësor. Ata janë pak më të kujdesshëm. Ne do ta shohim. Ai duhet shumë mirë, por ishte një lëndim serioz dhe ne nuk duam të rrezikojmë”, tha Klopp në një konferencë për media.

“Ai nuk është stërvitur deri më tani me skuadrën dhe ne do ta shohim a do ta kemi në dispozicion për ndeshjen kundër Leicesterit, të shtunën. Për ndeshjen kundër Manchester United [më 20 tetor] ai me siguri do të jetë 100 për qind i gatshëm, por do ta shohim”.

Pas ndeshjes kundër Salzburgut, Liverpooli do ta presë në “Anfield” Leicesterin këtë fundjavë, me qëlimin për ta vazhduar rekordin e përsosur deri më tani në Premierligë.

Pas kësaj ndeshjeje, lojtarët do të shkojnë në ekipet e tyre kombëtare për ndeshjet e tetorit, përderisa Alissoni do ta shfrytëzojë atë periudhë për ta kompletuar procesin rikuperues nga lëndimi i tij. 


(Kosova Sot Online)