David Pemsel i Guardianit zgjidhet shef ekzekutiv i Premierligës

  • 02 October 2019 - 15:19
David Pemsel i Guardianit zgjidhet shef ekzekutiv i Premierligës

Premierliga angleze ka njoftuar se e ka zgjedhur David Pemselin e Guardianit shef të ri ekzekutiv, duke i dhënë fund kërkimit të gjatë njëvjeçar për një lider të ri për ta udhëhequr njërën prej garave më të mëdha në botën e sportit.

Vendimi për ta emëruar Pemselin shef të ri ekzekutiv të Premierligës është aprovuar unanimisht nga 20 klubet anëtare të ligës elitare të futbollit anglez, të mërkurën në një takim të veçantë.

Pemsel është shef ekzekutiv i Guardian Media Group, gazetës prestigjioze britanike, që prej vitit 2015 dhe punën si shef i Premierligës do ta nisë në prill të vitit 2020.

Bruce Buck, kryetar i komitetit për nominime i Premierligës, i cili e udhëhoqi procesin e rekrutimit, ka thënë: “Ne e mirëpresim me kënaqësi Davidin në Premierligë. Integriteti personal dhe sinqeriteti i tij, e bëjnë atë personin e duhur për ta udhëhequr biznesin tonë”.

“Në Guardian, ai ka treguar lidership të fuqishëm gjatë një periudhe ndryshimi dhe transformimi”, shtoi ai.

Pemsel u zgjodh lider i ri i Premierligës, pasi Susanna Dinnage dha dorëheqje nga posti në dhjetor të 2018-es, në mënyrë që ta mbante pozitën në Discovery, Inc. kompaninë e mediave masive në SHBA.

(Kosova Sot Online)