Messi: Mendova se Neymari do të shkonte në Real Madrid

  • 09 October 2019 - 09:50
Messi: Mendova se Neymari do të shkonte në Real Madrid

Kapiteni i Barcelonës, Lionel Messi, e ka pranuar se kishte menduar se  braziliani Neymari do të transferohej në Real Madrid gjatë afatit kalimtar të verës, kur Paris Saint-Germaini s’ia lejoi transferimin në Barcelonë.

Sulmuesi brazilian e bëri të qartë dëshirën e tij për t’u larguar nga Paris Saint-Germaini, përkundër që e kishte forcuar transferimin te francezët vetëm para dy vjetësh për 222 milionë euro.

Pakënaqësitë e Neymarit në PSG bënë që dy klubet më të mëdha të Spanjës, Barcelona dhe Real Madridi të interesoheshin për të. Rivalët e “El Clasicos”, bashkë me Juventusin, hynë në garë për brazilianin, që në fund mbeti në PSG.

Drejtuesit e kampionit të Ligue 1 e bënë të qartë se ata do të ishin të gatshëm ta shisnin Neymari, mirëpo çmimi që ata e kërkonin për brazilianin ishte jashtë kapaciteteve të Barcelonës dhe Real Madridit.

Për më tepër, mediat spanjolle raporton se Paris Saint-Germaini preferonte t’ia shiste Neymari Real Madridit për shkak të marrëdhënieve të mira me madrilenët dhe marrëdhënieve tejet të tensionuara me Barcelonën.

“Unë me të vërtetë mendova se Neymari do të shkonte në Real Madrid nëse nuk do të vinte këtu”, tha Messi në një intervistë të dhënë për RAC1, versioni i plotë i së cilit do të transmetohet sot gjatë ditës.

“Ai me të vërtetë dëshironte të largohej nga Parisi dhe e ka dëshmuar këtë gjë. Unë mendova se Real Madridi dhe Florentino Perezi do të bënin diçka për ta transferuar atë gjatë verës”.

Messi gjithashtu foli edhe për kartonin e kuq që Ousmane Dembele e mori në ndeshjen kundër Sevillas, pasi e kritikoi gjyqtarin Antonio Miguel Mateu Lahoz. Argjentinasi kishte tentuar ta shpëtonte bashkëlojtarin e tij duke i thënë gjyqtari se francezi nuk e dinte mirë spanjishten.

“Ishte një vendim i vështirë sepse Dembele ka probleme me formulimin e fjalive për të thënë diçka qartësisht. Ne u habitëm që Mateu Lahoz e kishte dëgjuar atë aq qartë sepse ai ka probleme me spanjishten”.

Se sa gjatë do të jetë i suspenduar Dembele pas këtij incidenti nuk dihet ende, mirëpo ai mund të jetë në rrezik për derbin kundër Real Madridit.

(Kosova Sot Online )