Trajneri i Bullgarisë thotë se s’i dëgjoi thirrjet raciste të bullgarëve, i akuzon tifozët e Anglisë

  • 15 October 2019 - 11:43
Trajneri i Bullgarisë thotë se s’i dëgjoi thirrjet raciste të bullgarëve, i akuzon tifozët e Anglisë

Trajneri i Kombëtares së Bullgarisë, Krasimir Balakov, pretendon se ai nuk dëgjoi asnjë thirrje raciste gjatë disfatës me rezultat 6:0 të skuadrës së tij kundër Anglisë në Sofje dhe ai i ka akuzuar tifozët e Anglisë për “sjellje të pahijshme”.

Ross Barkley dhe Raheem Sterlingu i shënuan nga dy gola për t’i ndihmuar skuadrës së Gareth Southgate t’u kthehet fitoreve kundër Bullgarisë mbrëmë, pas disfatës kundër Çekisë.

Por, ndeshja u la nën hije nga thirrjet raciste të tifozëve të Bullgarisë drejt disa lojtarëve të Anglisë. Ky incident u raportua te zyrtaret e ndeshjes dhe ndeshja u ndal dy herë para se të përfundonte pjesa e parë.

Para ndeshjes, Balakov e akuzoi Anglinë se ka problem më të madh me racizmin në futboll sesa vendi i tij dhe ai vazhdoi me të njëjtën qëndrim edhe pas ndeshjes së mbrëmshme.

“Unë personalisht nuk i dëgjova thirrjet për të cilat po flisni ju tani. Unë vetëm e pashë se gjyqtari e ndali ndeshjen”, tha Balakov, në një intervistë të dhënë për mediumin anglez, ITV.

“Por, unë duhet të them se sjelljet e pahijshme nuk u shfaqen vetëm në mesin e tifozëve të Bullgarisë, por edhe të atyre të Anglisë, të cilët fishkëllyen dhe bërtitën gjatë himnit kombëtar të Bullgarisë”.

“Gjatë pjesës së dytë, ata përdorin fjalë, të cilat unë i konsideroj të papranueshme, kundër tifozëve tanë”.

“Nëse kjo rezulton se është e vërtetë, atëherë neve na vjen me të vërtetë keq dhe si Federatë e Futbollit e Bullgarisë dhe si Kombëtare e Bullgarisë po punojmë shumë kundër kësaj. Askush nuk dëshiron të shohë gjëra të tilla”.

(Kosova Sot Online)