Kryeziu motivon shokët: Ne mund t’ia dalim, kjo është ëndrra jonë!

  • 15 October 2019 - 14:42
Kryeziu motivon shokët: Ne mund t’ia dalim, kjo është ëndrra jonë!

Hekuran Kryeziu nuk ka qenë prezent në stadium në fitoren e rëndësishme ndaj Malit të Zi. Mirëpo, mesfushori kosovar i ka përgëzuar shokët për fitoren e madhe dhe për vazhdimin e ëndrrës – kualifikimin në Euro 2020

Futbollistët e Kosovës e kanë marrë një mbështetje të madhe gjithandej kohëve të fundit, shkruan media.

E prej mbështetësve të tyre janë edhe shokët e skuadrës, të cilët nuk po mund t’i ndihmojnë ata në fushën e blertë.

Në këtë rast, po flasim për Hekuran Kryeziun, i cili për shkak të një lëndimi të rëndë të pësuar muaj më parë më ekipin e Zurichut, e ka shikuar me plot emocion ndeshjen e madhe të “Dardanëve”, të cilët e mposhtën Malin e Zi me rezultat 2:0, në ndeshjen e zhvilluar mbrëmë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Dhe, futbollisti kosovar, i cili është duke e kryer fazën e rehabilitimit, e ka bërë një postim në rrjetet sociale, duke i përgëzuar shokët, të cilët me fitoren ndaj malazezëve mbeten në garë për t’u kualifikuar në Euro 2020.

“Ne mund t’ia dalim, kjo është ëndrra jonë”, ka shkruar Kryeziu.

Të gjithë e presin me padurim rikthimin e mesfushorit kualitativ, i cili shpreson të mund t’i ndihmojë “Dardanët” në ndeshjet vendimtare të nëntorit, ndaj Republikës Çeke dhe Anglisë.

(Kosova Sot Online)