Drejtori i Man Unitedit e sqaron bisedën kontroverse me Jonesin në stadium

  • 22 October 2019 - 13:37
Drejtori i Man Unitedit e sqaron bisedën kontroverse me Jonesin në stadium

Drejtori ekzekutiv i Manchester Unitedit, Ed Woodward, ka tentuar t’i shuajë spekulimet lidhur me një bisedë që ai e kishte pasur me qendërmbrojtësin Phil Jones gjatë një ndeshjeje të Premierligës me West Hamin këtë sezon.

Në rrjetet sociale pretendohej se 47-vjeçari i ishte kthyer qendërmbrojtësit anglez, duke i bërtitur atij për diçka që kishte thënë, pasi biseda mes tyre u kap nga kamerat televizive.

Disa tifozë kishin sugjeruar se Jones, i cili s’po gjen vend në formacion, kishte brohoritur: “Do të shkarkohesh qysh në mëngjes”, duke iu referuar trajnerit Ole Gunnar Solskjaer, skuadra e së cilit humbi 2:0 në shtëpi në atë ndeshje. Ndërsa, thuhej se Woodwardi i ishte kthyer duke i thënë: “Mbylle gojën, jemi në kamera”.

Megjithatë, Woodwardi e ka dhënë një sqarim tjetër të asaj ngjarjeje. 

“Phili po fliste për një vendim se a kishte qenë një lojtar në pozitë jashtë loje apo jo. Atëherë ndodhi një ndërhyrje dhe unë iu ktheva Rebecca Britainit, sekretares tonë, dhe i thashë: “A u ndëshkua ai me karton të verdhë? Issa Diop?”.

Manchester Unitedi tani e gjen veten në një situatë të vështirë në tabelës e Premierligës, duke u radhitur me vetëm dy pikë larg zonës së rrezikut, pasi që i kanë fituar vetëm dy nga nëntë ndeshjet e zhvilluara.

(Kosova Sot Online)