Tifozi i Kosovës shkon në Çeki, s’i lejohet të blejë biletë

  • 23 October 2019 - 11:39
Tifozi i Kosovës shkon në Çeki, s’i lejohet të blejë biletë

Kosovari me nënshtetësi gjermane, Florim Gashi, shkoi në Çeki për të blerë biletë për ndeshjen e nëntorit kundër Kosovës. Megjithatë, ashtu siç ishte lajmëruar më parë nga Federata e Futbollit e Çekisë, atij s’iu lejua të blejë biletë.

Përballja mes Çekisë dhe Kosovës, e cila do të zhvillohet më 14 nëntor në “Doosan Arena”, do të jetë vendimtare për fatin e të dyja Kombëtareve në Grupin A kualifikues për Kampionatin Evropian 2020.

Tifozët çekë kishin planifikuar të lëshonin mesazhe politike kundër Kosovës përmes një droni gjatë ndeshjes së shtatorit mes dy Kombëtareve në Prishtinë, të cilën Dardanët e fituan 2:1 ndaj Çekisë, por u parandaluan nga policia e vendit.

Policia e Kosovës i arrestoi shtatë tifozë cekë, përfshirë një serb, para se t’i lironte brenda ditës pasi i kishte intervistuar, gjobitur dhe ua kishte konfiskuar disa pajisje të ndryshme.

Për shkak të kësaj, Federata e Çekisë vlerëson se kjo ndeshje përbën rrezik prandaj ka marrë një seri masash, përfshirë ndryshimin e mënyrës së shitjes së biletave. Federata çeke kishte lajmëruar se biletat do të mund t’i blinin vetëm nënshtetasit çekë, në mënyrë që të mos hyjnë tifozë të huaj të cilët mund të duan ta përdorin këtë ndeshje për protesta politike.

Përkundër që ky lajm ishte bërë i ditur qysh para dy javësh, tifozi kosovar Florim Gashi vendosi ta provojë fatin për të blerë bileta. Megjithatë, atij s’iu lejua një gjë e tillë, për të cilën u ankua në një video për Indeksoniline, ku kërkoi nga Federata e Kosovës që të apelohet vendimi i çekëve.

Çekia radhitet në pozitën e dytë në tabelën e Grupit A, me një pikë më shumë të fituar sesa Kosova, përderisa Anglia është lidere e grupit. Me fitore në përballjen e 14 nëntor, Çekia do ta fitonte kualifikimin në EURO 2020, ndërsa Kosova do të duhej të tentonte edhe një herë përmes play-offs të Ligës së Kombeve.

(Kosova Sot Online)