Anton Cena s’i harron kurrë ata që i dolën në krahë, në shenjë respekti dhe falënderimi ua dhuron medaljen e Botërorit

  • 25 October 2019 - 09:51
Anton Cena s’i harron kurrë ata që i dolën në krahë, në shenjë respekti dhe falënderimi ua dhuron medaljen e Botërorit

Anton Cena është fytyra e bardhë e Kosovës, është ana e ndritur e vendit tonë.

Veterani i xhudos është ambasador i Kosovës, të cilën e përfaqëson me nder dhe e promovon kudo që shkon, krahas tokës amë, Shqipërisë, të cilës po e ashtu i bën reklamë dhe promovim në çdo cep të botës.

Gjithsesi, udhëtimet dhe pjesëmarrjet e tij në Kampionate Evropiane e Botërore për veteranë, ku e përfaqëson dhe e bën krenare vazhdimisht Policinë e Kosovës, kanë kosto financiare.

E për t’i realizuar pjesëmarrjet në këto evenimente prestigjioze, biznesmenët dhe njerëzit e vullnetit të mirë e kanë hapur gjithmonë zemrën për ta ndihmuar një njeri me zemër të madhe.

Cena nuk i harron asnjëherë sponsorët që ia mundësojnë udhëtimet dhe që ia heqin shpenzimet e pjesëmarrjeve në garat ku ai merr pjesë.

Së fundmi, ai ka shkuar përtej falënderimit.

Trajneri i xhudos, i cili njëherësh është edhe pjesë e Policisë së Kosovës, e ka bërë një sakrificë, me qëllim mirënjohjeje, në shenjë respekti dhe falënderimi.

Ai ia ka bërë dhuratë medaljen e fituar në Kampionatin Botëror të Kinës për veteranë njërit prej sponsorëve të tij.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në rrjetet sociale, Cena i ka zbuluar edhe fotografitë e medaljes, e cila është njëra prej të shumtave që i ka fituar ai në karrierë, qoftë në periudhën kur garonte për seniorë, e deri tash tek veteranët.

“Miq dhe mikesha, Ju njerëz të mirë që vazhdimisht keni qenë dhe jeni fuqia e vullnetit tim … Dua të ju njoftoj që Medalen e fituar në Kampionatin Botëror të Kinës, atje ku përfaqësova Policinë e Kosovës, mbrëmë ia dhurova sponsorit tim financiar ,Vëllezërve Deda, si shenjë respekti dhe falënderimi që nuk u kursyen dhe më përkrahën për ta mundësuar shkuarjen time në Kinë, vetëm e vetëm që Policia e Kosovës të marrë fitoren e merituar nga pjesëmarrja ime në këtë garë.

Jam i nderuar që ju njoh, që dini vlerën e sportit, që e doni Atdheun, që nuk e kurseni veten të jeni Patriotë, sa herë kërkohet! Medalen do ta keni si kujtim nga unë dhe më besoni që jeni po aq meritor sa unë për këtë fitore ,meqë pa ju, unë pavarësisht përgatitjes, dëshirës dhe vullnetit, nuk do të kisha mundësi të merrja pjesë. Faleminderit shumë edhe: Hermogen Geci, Edmond Buxhovi, Linda B Aliu, Mahir Hanxhiu, Flakrim Makolli, Faton Paçarada”, ka shkruar Cena.

Ai pa dyshim se meriton më shumë përkrahje, sidomos institucionale, sepse, tek e fundit, po e përfaqëson dhe nderon vendin e tij, Kosovën, për të cilën nuk kursen asgjë.

Punëtori i palodhshëm nuk e ka ndërmend të ndalet me kaq.

Ai synon suksese të reja në sportin të cilit ia fali jetën.

(Kosova Sot Online )