Kritikohet ashpër Mbappe: Po bëhet si Neymari

  • 25 October 2019 - 14:08
Kritikohet ashpër Mbappe: Po bëhet si Neymari

Christophe Dugarry e ka kritikuar Kylian Mbappen për deklaratat e tij pas fitores së Paris Saint-Germainit kundër Clubb Brugge dhe e krahasoi sjelljen e tij me atë të Neymarit.

Kylian Mbappe ende s’ka qenë titullar në asnjë ndeshje për Paris Saint-Germain në këtë sezon të Ligës së Kampionëve, pasi që mbeti në stol në tri ndeshjet e deritanishme, për shkak të shqetësimeve për një lëndim të tij.

Përkundër që luajti vetëm 40 minuta në ndeshjen kundër Clubb Brugge të mërkurën, sulmuesi francez arriti të shënojë het-trik dhe ta bëjë një asist në fitoren me rezultat 5:0 kundër klubit belg në Paris.

Megjithatë, pas kontributit të jashtëzakonshëm të dhënë gjatë pjesës së dytë të ndeshjes për skuadrën e dytë, sulmuesi 20-vjeçar e shprehi pakënaqësinë e tij që s’kishte qenë titullar në këtë përballje.

“Unë doja të jem titullar. Mendova se do të luaj nga fillimi. Është vendimi i trajnerit dhe ne duhet ta pranojmë. Unë desha ta dëshmoj sërish se e kanë të vështirë të bëjnë diçka pa mua”, tha Mbappe, i cili ka munguar në gjashtë ndeshje të këtij sezoni për shkak të një lëndimi muskulor dhe s’ka qenë titullar për PSG-në që nga gushti.

Komentet e yllit të talentuar francez nuk i kanë pëlqyer aspak ish-futbollistit të Francës, që tani punon si analist futbolli, Christophe Dugarryt, i cili e krahasoi sjelljen e Mbappen me atë të bashkëlojtarit të tij, Neymarit.

“U tregua i ngathët. Ndoshta po tregohem pak i ashpër, por unë nuk dua që ëndrrat e mia për Mbappen të shuhen. Mendoj se ai po bëhet si Neymari. Deklarata e tij tingëllon se përqendrimi i tij është në aspektin individual”, ka thënë Dugarry.

Me het-trikun e tij kundër Brugge, Mbappe është bërë lojtari më i ri që i ka shënuar 15 gola në Ligën e Kampionëve, me 20 vjeç e 306 ditë, duke e kaluar rekordin e vendosur më parë nga Lionel Messi (21 vjeç dhe 288 ditë). 

(Kosova Sot Online)