Paraqitja e Messit e lë trajnerin e Barçës të mahnitur

  • 30 October 2019 - 08:28
Paraqitja e Messit e lë trajnerin e Barçës të mahnitur

Trajneri i Barcelonës, Ernesto Valverde, mbeti pa fjalë për ta përshkruar kapitenin dhe yllin e skuadrës së tij, Lionel Messin, pasi argjentinasi ishte mbresëlënës në fitoren me rezultat 5:1 të katalonasve kundër Real Valladolidit.

Lionel Messi e pati një paraqitje mbresëlënëse mbrëmjen e së martës, me dy gola të shënuar dhe një asist, përderisa kampioni në fuqi Barcelona u ngrit në kreun e tabelës së La Ligës.

Kapiteni i Barcelonës Messi e asistoi golin e Arturo Vidalit me një pasim të shkëlqyeshëm para se ta shënonte në mënyrë të jashtëzakonshme një gjuajtje të lirë – të 50-tën për të në karrierë me Barcelonën dhe Argjentinën – para se të përfundonte pjesa e parë në Camp Nou.

Messi e shënoi golin e tij të dytë të ndeshjes pas pjesës së parë dhe pesë-herë fituesi i Topit të Artë pati rol vendimtar edhe në golin e Luis Suarezit. Me anë të ndihmës së argjentinasit, Barcelona u ngrit mbi Granadan dhe Atletico Madridin në tabelës e ligës elitare të futbollit spanjoll.

“Çfarë tjetër mund të thuhet për të? Më janë harxhuar fjalët. Ne gjithmonë e dimë se ai do të shfaqet, në çfarëdo ndeshje”, ka thënë Valverde për gazetarët.

“Talenti i tij s’mund të krahasohet me asgjë; realiteti është se sa herë që ai e prek topin, diçka e veçantë ndodh. Unë thjesht nuk di çfarë të them”.

“Ai po i afrohet formës së tij më të mirë pas lëndimin. Kur Leo të kthehet në 100 përqindëshin e tij, diçka e keqe do t’i ndodhë rivalit. Ai e ka talentin që s’e ka askush tjetër”.

“Ai u ik të gjithëve dhe jo vetëm që mund të luajë në mënyrë mbresëlënëse vet, por ai bën gjëra që s’mund t’i bëjë askush tjetër. Kjo më ndodh edhe mua nganjëherë, ai bën gjëra që nuk shihen as nga turma. Bëhet çdo ditë e më mirë”.

Barcelona është dy pikë përpara Granadas dhe Atletico Madridit, mirëpo Barcelona dhe Real Madridi e kanë nga një ndeshje më pak të zhvilluar, për shkak se El Clasico që ishte dashur të zhvillohej në xhiron e kaluar është shtyrë për 18 dhjetor. 

(Kosova Sot Online )