Ndihmëstrajneri i Liverpoolit e komenton rastin e Xhakës në Arsenal

  • 30 October 2019 - 09:02
Ndihmëstrajneri i Liverpoolit e komenton rastin e Xhakës në Arsenal

Ndihmëstrajneri i Liverpoolit, Pep Lijnders, ka thënë se për reagimin e Granit Xhakës drejt tifozëve ndikoi mungesa e disiplinës në Arsenal, një situatë që sipas tij nuk do të kishte ndodhur në skuadrën e Jurgen Kloppit.

Mesfushori shqiptar i Zvicrës, i cili është zgjedhur kapiten i Arsenalit me gjithë kritikat e shumta së fundmi, u nxor nga loja e së dielës në minutën e 61-të nga trajneri Unai Emery, për t’i lënë vend Bukayo Sakas, pak pas golit të barazimit të vizitorëve.

Xhaka u përcoll jashtë fushës me fishkëllima të shumta të tifozëve të vet. Kjo bëri që ai ta humbë kontrollin dhe ta heqë shiritin e kapitenit dhunshëm, para se ta lëshonin nervat plotësisht.

Ai reagoi ndaj tifozëve duke i sharë: “Ik pi***uni” dhe duke e hedhur fanellën në tokë rrugës drejt tunelit për në zhveshtore.

Sjellja e tij, si kapiten i sapoemëruar, ka ngjallur reagime të mëdha në Angli. Shumë ish-yje të Arsenalit dhe tifozë të klubit londinez kanë mbetur të habitur me Xhakën, të cilin e kritikuan ashpër për reagimin tërbues.

“Në përgjithësi në jetë, në klube të futbollit, mënyra për e mirë për ta zhvilluar një skuadër janë marrëdhëniet e mira. Siç themi ne në Liverpool – gjithçka varet nga “Trinia e Shenjtë”, që janë tifozët, trajneri dhe skuadra”, ka thënë Lijnders.

“Kjo treshe duhet të jetë e lidhur mirë mes vete, duhet ta kenë një ide të përbashkët, ata duhet ta kuptojnë njëri-tjetrin”.

“Arsenali e di më mirë sesa unë se si ta zgjidhë këtë situatë, mirëpo kur ke kapitenë si Jordan Henderson e James Milner, nuk ke nevojë t’i disiplinosh të tjerët. Nëse je vetë i disiplinuar, s’ke nevojë t’i disiplinosh të tjerët”.

“Lojtarët e Liverpoolit janë të gjithë shembullorë në mënyra të ndryshme. Lojtarët që nuk ankohen kurrë, nuk bëjnë arsyetime dhe nuk vajtojnë kurrë. Ata nuk dorëzohen kurrë, as në momentet më të vështira, dhe gjithmonë e vendosin skuadrën para vetes”.

Xhaka, i cili ka shkaktuar më shumë faulle (22) se çdo futbollist tjetër në Premierligë këtë sezon, është zëvendësuar tri herë në nëntë ndeshje deri tani në ligë.

Për momentin nuk dihet nëse Arsenali është duke menduar t’ia heqë shiritin e kapitenit mesfushorit shqiptar të Zvicrës. 

(Kosova Sot Online )