Luis Enrique: Moreno është tradhtar dhe unë s’dua njerëz të tillë afër vetes

  • 27 November 2019 - 14:35
Luis Enrique: Moreno është tradhtar dhe unë s’dua njerëz të tillë afër vetes

Trajneri Luis Enrique e akuzoi ish-ndihmësin e tij, Robert Morenon, se është tradhtar, pas ndërrimit befasues në pozitën e trajnerit të ekipit kombëtar të Spanjës.

Roberto Moreno kishte qenë ndihmëstrajner i Luis Enriques në postin e trajnerit të Kombëtares së Spanjës, por e mori rolin e trajnerit të përkohshëm kur Enrique dha dorëheqje shkaku i vajzës së tij të sëmurë nga kanceri, që tashmë ka ndërruar jetë.

Pasi Spanja i kishte fituar ndeshjen me Morenon si trajner të përkohshëm, atij iu ofrua posti i trajnerit në mënyrë permanente, ofertë kjo të cilën Moreno e pranoi.

Megjithatë, së fundi, Federata spanjolle e shkarkoi Morenon dhe e ktheu Enriquen, që tani s’e do më Morenon si ndihmëstrajner. Arsyen prapa këtij vendimi e sqaroi Enrique në një konferencë të fundit për shtyp.

“I vetmi person përgjegjës për largimin e Robert Morenos nga stafi teknik jam unë”, tha Enrique gjatë përballjes së tij të parë me mediat që kur u kthye në rolin e trajnerit të Spanjës, më 19 nëntor.

“Më 12 shtator, unë e takova atë në shtëpinë time dhe ai më tha se dëshironte të ishte trajner në Kampionatin Evropian dhe pastaj, nëse dëshiroja unë, ai do të bëhej ndihmësi im”.

“Unë e kuptoj se ai është ambicioz, se ëndrra e tij është të jetë trajner, por për mua kjo është tradhti, unë nuk do të bëja diçka të tillë. Për mua, kjo është një e metë e madhe. E kuptoj qëndrimin e tij, mirëpo unë nuk do ta bëja”.

“Unë i thashë atij se nuk e shoh më si ndihmësin tim dhe se nuk e di kur do të kthehem, por që dua të kthehem në punë. Ai e mbylli bisedën në mënyrë të ngrohtë dhe unë i telefonova njerëzit në stafin tim që t’ua bëj të ditur mendimin tim dhe të palës tjetër, në mënyrë që të mos keqkuptoheshin fjalët e mia”.

“Nga ai moment, unë duhet të tregoj se nuk iu afrova kurrë Federatës, nuk i telefonova kurrë. Në aspektin profesional, nuk kam asnjë arsye për ta kritikuar Robert Morenon. Ai është i përgatitur dhe është trajner i mirë”.

“Fjalët e tij thonin një gjë e veprimet e tij një gjë tjetër shumë të ndryshme. Unë nuk jam i miri në këtë film, por nuk jam as i keqi”. 

(Kosova Sot Online)