Fiorentina në krizë, dëmtohet sërish Ribery

  • 30 November 2019 - 23:15
Fiorentina në krizë, dëmtohet sërish Ribery

Fiorentina zhytet në krizë totale me tashmë Vincenzo Montella mund t’i ketë orët e numëruara në stolin e skuadrës vjollcë.

Në Artemio Franchi Fiorentina u mposht 0-1 nga Lecce që iu fal golit të La Mantias në minutën e 49-të për të marrë tre pikë shumë të rëndësishme në garën për mbijetesë.

Kjo ishte humbja e tretë radhazi për Fioren që ka marrë vetëm 1 pikë në 4 ndeshjet e fundit dhe pas 14 javës pozicionohet në vendin e 11-të me 16 pikë.

Pa Chiesan të dëmtuar dhe një Ribery të pafuqishëm për të bërë diçka që u zëvendësua në fund të pjesës së parë për shkak të një dëmtimi që mund të jetë i rëndë, skuadra vjollcë pësoi humbjen e 6-të sezonale.

Lecce e Liveranit u konfirmua si një kockë e fortë në transfertë teksa iu largua fundit të renditjes duke u ngjitur në kuotën e 14 pikëve, po aq sa edhe Milani i Piolit që luan të dielën në transfertë ndaj Parmës.

Ndërkohë u rikthye te suksesi edhe Torino që fitoi 0-1 në transfertën ndaj Genoas falë një goli të Bremer.

(Kosova Sot Online)