Ibrahimovic: Mbappe është më i ngjashmi me Ronaldon brazilian

  • 06 dhjetor 2019 - 08:18
Ibrahimovic: Mbappe është më i ngjashmi me Ronaldon brazilian

Zlatan Ibrahimovic e ka zgjedhur Kylian Mbappen si lojtarin e vetëm që e emocionon atë më së shumti, duke e krahasuar me ish-sulmuesin legjendar brazilian Ronaldon.

I njohur me nofkën “El Fenomeno”, Ronaldo brazilian e shijoi një karrierë të mrekullueshme në Evropë, duke përfaqësuar klube si Barcelonën, Real Madridin, Interin dhe Milanin.

Ish-sulmuesi legjendar e pati një rol vendimtar në skuadrën e Brazilit që e fitoi Kupën e Botës në vitin 2002 dhe vetëm Miroslav Klose ka arritur të shënojë më shumë gola në histori të këtij turneu.

Për këtë arsye, Ronaldo ende konsiderohet nga tifozët si ndër më të mirët në histori të futbollit dhe, duke folur në një intervistë të fundit, Ibrahimovici i rezervoi disa lëvdata për lojtarin e tij të preferuar të të gjitha kohëve.

“Gjithmonë ka qenë Ronaldo brazilian. Kur ai luante, të gjithë donin ta kopjonin, lëvizjet e tij dhe gjithçka. Ai kishte stil shumë elegant. Ai ishte lojtari që më bëri të qëndrojë para televizorit për të shikuar ndeshje”, ka thënë Ibrahimovic.

Kur u pyet nëse ndonjë futbollist që luan tani ia kujton atij Ronaldon, Ibrahimovici tha se Mbappe i Paris Saint-Germainit e emocionin atë pothuajse në të njëjtën mënyrë.

“Ndoshta Mbappe e bën dallimin, ai është i ri, ne shpresojmë se ai do të vazhdojë të punojë shumë. Qysh në moshën 19-vjeçare, ai është yll. Shpresoj të jetë i uritur dhe të ketë pasion për futbollin, të rritet dhe të bëjë edhe më shumë”.

Njëjtë si Ronaldo, Mbappe e ka fituar trofeun e Kupës së Botës si adoleshent dhe që të dy njihen për shpejtësinë e tyre dhe për saktësinë para portës kundërshtare. 

(Kosova Sot Online)