U ftua të luajë kundër Kosovës, suedezi Karlsson shprehet i lumtur

  • 10 December 2019 - 12:35
U ftua të luajë kundër Kosovës, suedezi Karlsson shprehet i lumtur

Në mesin e lojtarëve të ftuar nga trajneri i Kombëtares së Suedisë, Janne Andersson, për ndeshjen miqësore me Kosovën është edhe talenti i Elfsburgut, Jesper Karlsson, i cili është shprehur i lumtur që e pati besimin e trajnerit për turneun e janarit.

Kosova dhe Suedia do të përballen në një ndeshje miqësore në Katar, më 12 janar, në kuadër të një turneu dimëror gjatë të cilit Suedia do të përballet edhe me Moldavinë.

Njëri ndër lojtarët që është ftuar nga Kombëtarja e Suedisë për këtë përballje është Jesper Karlsson, i cili është duke e shijuar një sezon mbresëlënës për Elfsborgun. Megjithatë, ai u befasua kur mori vesh se është ftuar nga trajneri i Kombëtares.

“A është e vërtetë? S’e dija, por jam shumë i lumtur! E kam pasur paksa mendjen te turneu i janarit pasi që gjërat kanë shkuar kaq mirë këtë sezon”, ka thënë Karlsson.

“Megjithatë unë nuk mora pjesë në ndeshjet e Kombëtares U-21 dhe mendova se do të ftohem as këtu. Nuk e dija se kur do të publikohej lista e lojtarëve të ftuar për këto ndeshje në janar. Tani do të stërvitem shumë për këtë turne”.

Karlsson, i cili i ka shënuar tetë gola dhe i ka bërë gjashtë asiste në ligën Allsvenskan në vitin 2019, tha se ai ka bashkëlojtarë që e merituan të jenë pjesë e kësaj skuadre edhe më shumë sesa ai.

“Mendoj se Simon Strand ishte shumë i mirë e ndoshta edhe Simon Olsson”, përfundoi Karlsson.

Për shkak që kjo ndeshje miqësore do të zhvillohet jashtë kalendarit të UEFA-s për ndeshje kombëtare, futbollistët do të jenë të angazhuar me klubet e tyre dhe kjo ka ngjallur raportimet se edhe trajneri Bernard Challandes do të ftojë lojtarë nga Ipko Superliga në Kombëtaren e Kosovës.

(Kosova Sot Online)