Ertz emërohet futbollistja e vitit në SHBA, mposht Alex Morganin e Megan Rapinoe

  • 14 December 2019 - 09:18
Ertz emërohet futbollistja e vitit në SHBA, mposht Alex Morganin e Megan Rapinoe

Federata e Futbollit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka bërë të ditur se Julie Ertz është votuar futbollistja më e mirë e vitit në SHBA për vitin 2019.

Julie Ertz, 27-vjeçare, luajti rol kyç në triumfin e ekipit kombëtar të vajzave të SHBA-së në Kupën e Botës 2019 këtë verë – duke qenë titullare në pesë nga gjashtë ndeshjet e zhvilluara në Francë.

Kjo është hera e dytë që Ertz e ka fituar këtë çmim, pasi që e kishte fituar atë edhe në vitin 2017.

“Ka qenë një vit i mrekullueshëm për mua dhe jam shumë mirënjohëse për këtë. Ekipi im më ndihmoi në shumë mënyrë dhe 2019-a vetëm e vulosi dashurinë që unë e kam për ekipin kombëtar dhe për atë çka e përfaqëson ajo emblemë”, ka thënë Ertz.

Duke e fituar atë çmim, Ertz i mposhti disa finaliste më të famshme sesa ajo, ku përfshiheshin Rose Lavelle, Carli Lloyd, Megan Rapinoe, Alyssa Naeher dhe Alex Morgan. Rapinoe e fitoi Topin e Artë këtë vit, mirëpo ky vendim është kritikuar nga shumë persona.

“Ne të gjithë e dimë se trofetë individuale janë gara të popullaritetit, mirëpo ajo që ndodhi me Topin e Artë të vashave është thjesht revoltuese”, shkroi e përditshmja Visao de Mercado.

“Megan Rapinoe, që e fitoi edhe çmimin si më e mira nga FIFA – e famshme për aktivizmin e saj për barazi gjinore dhe si ikonë e komunitetit LGBT – ka luajtur vetëm 339 minuta në vetëm gjashtë ndeshje për klubin e saj, Seattle Reign FC, gjatë vitit 2019, duke regjistruar 0 gola dhe 0 asiste dhe u eliminua në gjysmëfinale pasi që e mbylli sezonin e rregullt në vendin e katërt”.

“Mund të argumentohet se gazetarët vendosën se paraqitjet e saja në Kupën e Botës ishin të mjaftueshme që ajo ta fitonte këtë çmim. Ajo ishte golashënuesja më e mirë e turneut (bashkë me Ellen White të Anglisë dhe Alex Morgan të SHBA-së) më gjashtë gola, edhe pse tri u shënuan nga pika e penalltisë dhe një tjetër erdhi në fitoren me rezultat 13:0 kundër Tajlandës amatore”.

“Në fakt, Rapinoe luajti rol të rëndësishëm vetëm në çerekfinale, kur i shënoi dy gola që ia dhanë SHBA-së fitoren kundër Francës”.

“Alex Morgan ishte e treta në garën për Topin e Artë dhe ajo e pati një sezon të ngjashëm. Sulmuesja e Orlando Pride luajti në 6 ndeshje, gjithsej 395 minuta, dhe nuk arriti të shënojë apo të asistojë. Ajo madje s’ishte aq mbresëlënëse as në Kupën e Botës”.

“Nga gjashtë golat që e bënë atë ndër golashënueset më të mira të turneut, pesë prej tyre erdhën në fitoren me rezultat 13:0 kundër Tajlandës. Sam Mewis dhe Rose Lavelle ishin më të mira sesa ajo”.

“Gazetarët votuan pa e pasur idenë se çfarë po votojnë. Ka lojtare shumë më të mira që shkëlqyen, si 23-vjeçarja Vivianne Miedema, e cila i shënoi 49 gola në 47 ndeshje, e cila ishte golashënuesja më e mirë, asistuesja më e mirë dhe fituese e Premierligës me Arsenalin dhe për momentin është golashënuesja më e mirë në Ligën e Kampionëve, si dhe ishte nënkampione me Holandën në Kupën e Botës”.

“Ada Hegerberg, e cila e fitoi këtë çmim në vitin 2018, i ka shënuar 30 gola në 31 ndeshje gjatë vitit 2019 dhe ka fituar gjithçka me Lyonin – Ligue, Superkupën franceze, Superkupën evropiane dhe Ligën e Kampionëve, ku shënoi het-trik në finale”. 

(Kosova Sot Online)