“Shpërthimi” i Rashicës dhe Rrahmanit

  • 01 January 2020 - 13:45
“Shpërthimi” i Rashicës dhe Rrahmanit

Milot Rashica dhe Amir Rrahmani janë dy prej futbollistëve të Kosovës që kanë shkëlqyer më së shumti në vitin 2019

Milot Rashica dhe Amir Rrahmani kanë shpërthyer në vitin 2019.

Mesfushori ofanziv ishte sensacional me Werder Bremenin.

“Shpërthimi” i tij filloi që nga janari, ndërkohë që u shpall lojtari më i mirë i sezonit 2018/2019 tek ekipi gjerman.

“Raketa”, siç kanë nisur ta thërrasin në Gjermani, e mbylli sezonin e kaluar me 12 gola dhe 6 asistime.

Pjesën dërrmuese të tyre i realizoi në vitin 2019.

Ndërkaq, forma e jashtëzakonshme e 23 vjeçarit ka vazhduar edhe në edicionin 2019/2020.

Vushtrriasi i ka zhvilluar 15 ndeshje këtë edicion deri tash duke i shënuar 9 gola, prej tyre 7 në Bundesligë dhe 2 në Kupën e Gjermanisë.

Ndërkohë, ai i ka dhuruar edhe tri asistime në kampionatin gjerman.

Paraqitjet mbresëlënëse kanë bërë që vlera e Rashicës të rritet në 35 milionë euro.

Nëse vazhdon me këtë ritëm, ai mund të transferohet në një klub më të madh gjatë verës që vjen.

E vit fantastik pati edhe Amir Rrahmani.

Qendërmbrojtësi stabil kreu punë me sukses në kampionatin kroat me Dinamo Zagrebin dhe gjatë verës iu bashkua Veronës.

Ai shfaqi siguri edhe në kampionatin italian, ku i zhvilloi 16 ndeshje në Serie A dhe një në Kupën e Italisë.

Paraqitjet e mira kanë bërë që Rrahmanit t’ia vë syrin edhe klubi i respektuar në Itali, Napoli.

Të dy futbollistët janë mjaft të rëndësishëm edhe në Përfaqësuesen e Kosovës, me të cilën synojnë të kualifikohen në Euro 2020 përmes Ligës së Kombeve.

(Kosova Sot Online)