Shaqiri: “Heronjtë vijnë dhe shkojnë, legjendat mbesin përgjithmonë”

  • 27 January 2020 - 14:47
Shaqiri: “Heronjtë vijnë dhe shkojnë, legjendat mbesin përgjithmonë”

Xherdan Shaqiri gjithashtu ka reaguar për vdekjen e parakohshme të Kobe Bryant.

Të dielën, e gjithë bota u trondit me lajmin se një helikopter – në të cilin ndodhej legjenda e basketbollit Kobe Bryant – u përplas në një kodër në Kaliforni.

Në atë helikopter gjendeshin nëntë persona, 8 pasagjerë dhe piloti.

Në messin e pasagjerëve ishin Kobe Bryant dhe vajza 13 vjeçare e basketbollistit, Gianna Gigi Bryant – asnjëri nuk mbijetoi.

Sipas mediave amerikane, besohet se ata ishin duke shkuar në akademinë e basketbollit bashkë me një bashkëlojtare të Gigit dhe prindërit e saj.

Prej kur doli lajmi për aksidentin fatal, shumë njerëz në rrjete sociale nderuan karrierën dhe trashëgiminë që Bryant la pas, bashkë me ngushëllimet për familjarët e pasagjerëve, duke përfshirë gruan e Bryant, Vannesa dhe tri vajzat e tjera.

I fundit që ka reaguar është mesfushori shqiptar i Liverpoolit, Xherdan Shaqiri.

“Heronjtë vijnë dhe shkojnë, legjendat mbesin përgjithmonë”, ka shkruar Shaqiri në Instagram. 

(Kosova Sot Online)