Boksierët kosovarë nisin misionin për kualifikim në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”

  • 11 February 2020 - 13:03
Boksierët kosovarë nisin misionin për kualifikim në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”

Ekipi i boksit do ta nisë misionin për garën kualifikuese evropiane për Lojërat Olimpike Tokio 2020, të cilat do të mbahen prej 14 deri më 24 mars në Londër të Anglisë.

Gara organizohet nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, shkaku i problemeve me Federatën Ndërkombëtare të Boksit (AIBA).

Edhe pjesëmarrja e boksierëve tanë në këtë garë është duke u bërë përmes Komitetit Olimpik të Kosovës, ndërsa pjesëmarrës janë boksierë të kontinentit të Evropës.

Në këtë garë kualifikimin në “Tokio 2020” nga vendi ynë e kërkojnë: Donjeta Sadiku (-60 kg), Shpëtim Bajoku (-63 kg), Patriot Behrami (-69 kg) dhe Besart Pireva (-75 kg).

Donjeta do të udhëtojë nesër drejt Sofias së Bullgarisë, ku për tri ditë do të përgatitet bashkë me trajnerin e saj, Besim Brahimi, ndërsa “stacioni” i radhës është kampi ndërkombëtar, që mbahet në Trabzon të Turqisë, vend ky në të cilin do të përgatitet deri më 24 shkurt 2020.

Shpenzimet e përgatitjeve të saj do të mbulohen nga Komiteti Olimpik i Kosovës, bazuar në mbështetjen për sportistët elitarë, që janë bursistë të KOK-ut.

Në këtë kamp do të udhëtojnë edhe Bajoku, Behrami dhe Pireva, të cilët prej të shtunës janë duke u përgatitur me përzgjedhësin Shefki Bogujevci në Vlorë të Shqipërisë.

(Kosova Sot Online)