Pochettino thotë se do t’i pëlqente kthimi në Premierligë, mes spekulimeve për Man Unitedin

  • 12 February 2020 - 10:55
Pochettino thotë se do t’i pëlqente kthimi në Premierligë, mes spekulimeve për Man Unitedin

Trajneri Mauricio Pochettino ka thënë se atij do t’i pëlqente të kthehej për të punuar në Premierligë sërish, përderisa ish-trajneri i Tottenhamin po përflitet se do ta zëvendësojë Ole Gunnar Solskjaerin në Manchester United.

Mauricio Pochettino e drejtoi Tottenhamin deri në finale të Ligës së Kampionëve sezonin e kaluar, mirëpo u shkarkua në nëntor të vitit të kaluar dhe u zëvendësua nga Jose Mourinho.

Barcelona e kishte pasur opsion Pochettinon pas shkarkimit të Ernesto Valverdes, mirëpo argjentinasi i refuzoi katalonasit, të cilët në fund e emëruan ish-trajnerin e Real Betisit, Quique Setienin. Mirëpo, spekulimet për një kthim në Manchester United s’janë ndalur ende.

Pochettino raportohet se e dëshiron detyrën e trajnerit të Manchester Unitedit, pasi që Solskjaer po kalon nëpër shumë vështirësi në Old Trafford dhe skuadra e tij radhitet në pozitën e tetë në tabelën e Premierligës, me gjashtë pikë larg top katërshes.

“Të jem i sinqertë, do të më pëlqente shumë të punoja sërish në Premierligë. Do të jetë e vështirë, e di. Por, ky është momenti i duhur për të pritur dhe për ta parë se çfarë do të ndodhë”, ka thënë Pochettino.

“Është kohë për t’u rikuperuar, për të menduar pak për veten dhe për të qenë gati sepse në futboll mund të ndodh gjithçka dhe ti duhet të jesh vazhdimisht në dispozicion”.

“Jam gati dhe po pres sfida të reja. Kam besim dhe jam i bindur se sfida ime e radhës do të jetë fantastike. Kam qenë në Argjentinë, Katar, Spanjë dhe tani e kam Jesusin (Perez, ndihmësin e tij që e kishte pasur në Tottenham) që i ndjek lajmet më shumë, por edhe unë i dëgjoj spekulimet”.

“Të gjithë trajnerët e pranojnë se ka spekulime. Ne përballemi me këto spekulime në mënyrë natyrale. Njerëzit kanë nevojë për njerëz natyralë, njerëz normalë dhe ne nuk themi se jemi unik në këtë, por ne s’jemi aktorë dhe nuk bëjmë asgjë tek e cila s’kemi besim”.

Nëse nuk i vjen rasti të kthehet në Premierligë si trajner, Pochettino do të jetë i gatshëm ta vazhdojë karrierën e tij diku tjetër në Evropë.

“Nëse ne shpërngulemi në Evropë, do të na mungojë Anglia”, tha argjentinasi 47-vjeçar.

(Kosova Sot Online)