Reagon ashpër Solskjaer: Pogba s’është lojtar i Raiolas por i Man Unitedit

  • 17 February 2020 - 14:24
Reagon ashpër Solskjaer: Pogba s’është lojtar i Raiolas por i Man Unitedit

Trajneri i Manchester Unitedit, Ole Gunnar Solskjaer, e ka kritikuar ashpër menaxherin e Paul Pogbas, Mino Raiolan, i cili kishte thënë se ylli i Unitedit synon të kthehet në Juventus.

Trajneri norvegjez i Unitedit ia ka kujtuar Raiolas se mesfushori francez nuk është pronë personale e tij, por e klubit të Premierligës.

Për fituesin e Kupës së Botës është përfolur se do të largohet nga Old Trafford verën e këtij viti, për t’u kthyer te Juventusi, aty ku shkëlqeu para se të ribashkohej me Unitedin.

Madje është raportuar se kampioni italian është i gatshëm t’i ofrojë dy mesfushorët Adrien Rabiot dhe Aaron Ramsey për ish-yllin e vet.

Këto thashetheme i ndezi edhe më shumë Raiola, menaxheri i Pogbas, duke thënë se superylli francez do ta pëlqente kthimin në Juventus.

Solskjaer nuk është i interesuar të futet në diskutime me menaxherin e Pogbas, por këmbëngul se mesfushori dëshiron të vazhdojë me Unitedin patjetër.

“Nuk kam folur me Minon, sigurisht. Dhe as nuk i kam kërkuar Pogbas t’i tregojë Raiolas çfarë të flasë. Paul është lojtari ynë e jo i Minos”, tha Solskjaer.

“Jam i sigurt se Paul mezi pret të luajë për ne përsëri”, shtoi ai. 

(Kosova Sot Online)