Agjenti i Pogbas tenton t’i japë fund debatit me Solskjaerin, sqaron deklaratat

  • 19 February 2020 - 08:30
Agjenti i Pogbas tenton t’i japë fund debatit me Solskjaerin, sqaron deklaratat

Mino Raiola ka tentuar t’i qetësojë gjakrat mes tij dhe trajnerit të Manchester Unitedit, Ole Gunnar Solskjaerit, duke sugjeruar se Paul Pogba është i gatshëm të flasë për rinovim kontrate me Djajtë e Kuq.

Mino Raiola dhe Ole Gunnar Solskjaer kanë qenë të përfshirë në një debat të vazhdueshëm gjatë javëve të fundit për shkak të dyshimeve të ngritura mbi të ardhmen e Paul Pogbas.

Përfaqësuesi i yllit francez fillimisht tha se Pogba do të ishte i gatshëm të kthehej në Juventus këtë verë sepse e sheh Italinë si shtëpi të dytë, por Solskjaerit s’i pëlqyen këto komente dhe ia rikujtoi Raiola se futbollistit i takon klubit e jo atij.

Raiola reagoi ashpër ndaj deklaratës së Solskjaerit, para fitores të së hënës me rezultat 2:0, dhe insistoi se Pogba s’i takon askujt përveç vetes.

Trajneri i Djajve të Kuq u përgjigj sërish pas ndeshjes dhe sugjeroi se ai s’do të flasë as me Pogban e as me Raiolan për këto deklarata, ndërsa Raiola më vonë tha se Pogba është i përkushtuar nga klubit anglez vetëm deri në fund të Kampionatit Evropian 2020.

Megjithatë, agjenti i Pogbas duket se dëshiron t’i japë fund këtij debati, pasi që ka folur sërish për media dhe ka tentuar t’i qetësojë gjakrat.

“Ne jemi të hapur për bisedime kur ai të kthehet nga lëndimi. Tani për tani, ne e kemi një kontratë dhe e vetmja gjë te e cila jemi të përqendruar është të kthehemi në formë të mirë”, ka thënë Raiola për Sky Sports.

“Kur një agjent e përfaqëson një lojtar, natyrisht se do të ketë bisedime se si duhet të ecim përpara ose nëse je ende pjesë e planit të një trajneri. Nuk ka asgjë të çuditshme te kjo gjë”.

“Unë mendova se intervista ime ishte shumë e pafajshme kur thashë: “Ndoshta ndonjë ditë ai do të kthehet në Itali sepse është si shtëpia e tij e dytë”. Por, s’tregova nëse ai do të shkonte pas një apo dy vjetëve. Ti nuk e di kurrë se a do të kthehet ai apo jo”.

“Për një lojtar si ai, ka shumë klube të interesuara sepse jo shumë klube mund ta përballojnë atë. Nuk jemi në bisedime me asnjë klub për momentin. Unë do ta kontaktoj Olen sepse asgjë serioze s’po ndodh. Natyrisht, unë nuk e kisha qëllim ta ofendoja as atë e as klubin”.

“Duke pasur lojtarë në Manchester United, unë e dua vetëm më të mirën për skuadrën dhe klubin, Nuk kam asgjë kundër Oles dhe nuk mendoj se ai ka ndonjë gjë kundër meje”.

“Unë vetëm thash se të thuash se Pauli është i Manchester Unitedit nuk është reagimi i duhur. Unë thjesht doja t’i përgjigjesha të gjithëve që thonë ashtu sepse ti nuk e ke në pronësi një lojtar vetëm pse e punëson atë dhe s’mund të bësh çfarë të duash me të”.

“Pauli është shumë i përkushtuar ndaj klubit, për këtë s’ka aspak dyshim. Pauli e ka një kontratë me Manchester Unitedin dhe dëshiron të kthehet nga lëndimi sa më shpejt që të jetë e mundur dhe t’i ndihmojë skuadrës deri në fund të sezonit”.

“Për momentin, ne nuk jemi në bisedime për të ardhmen e Pogbas. Ai është i përkushtuar ndaj Manchester Unitedit dhe e respekton kontratën e tij. Të gjithë shqetësohen se Pogba do të largohet, por unë s’e kam këtë shqetësim”.

“Për klubin, kualifikimi në Ligën e Kampionëve ka rëndësi. Kjo fjali e imja u nxor nga konteksti dhe u bë më e madhe sesa që duhej të ishte bërë. Unë nuk isha i vetëdijshëm që Manchester Unitedi e kishte ndeshjen kundër Chelseat, kështu që nuk e dhashë atë deklaratë qëllimisht në atë moment”.

“Nuk ishte momenti i duhur. Fjalët e mia u nxorën nga konteksti dhe ndoshta nuk e zgjodha platformën e duhur për t’i diskutuar këto gjëra”.

(Kosova Sot Online )