Klopp mbetet i tronditur: S’e kuptoj pse Atletico s’luan futboll të vërtetë

  • 12 March 2020 - 09:17
Klopp mbetet i tronditur: S’e kuptoj pse Atletico s’luan futboll të vërtetë

Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, beson se Atletico Madridi duhet të fillojë të luajë “futboll të vërtetë” e jo të varet në kundërsulme, pasi klubi madrilen e eliminoi skuadrën e Kloppit nga Liga e Kampionëve të mërkurën.

Skuadra e Diego Simeones e mposhti Liverpoolit me rezultat 3:2 pas kohës shtesë në ndeshjen kthyese të 1/8 të finales së Ligës së Kampionëve në Anfield, duke e eliminuar kështu kampionin në fuqi të Evropës nga gara.

Goli i shënuar nga Georginio Wijnaldum në pjesën e parë të ndeshjes bëri që fituesi të vendoset në kohën shtesë. Roberto Firmino e dyfishoi epërsinë e anglezëve vetëm katër minuta pasi filloi koha shtesë, që bëri që tifozët vendas ta festojnë atë gol si fitore.

Megjithatë, festa s’u zgjati shumë pasi që Atletico Madridi e përmbysi rezultatin falë dy golave të shënuara nga Marcos Llorente dhe një gol të shënuar afër fundit nga Alvaro Morata, për ta fituar përballjen me rezultat të përgjithshëm 4:2.

Gjiganti i Premierligës e dominoi posedimin e topit dhe kishte dyfish më shumë goditje drejt portës sesa kundërshtari spanjoll, megjithatë s’arriti ta shfrytëzojë këtë dominim dhe iu shuan shpresat për ta mbrojtur titullin e kampionit.

Trajneri Klopp ndien se Atletico Madridi duhet të jetë në gjendje të luajë shumë më mirë për shkak të cilësisë në skuadrën madrilene.

“Unë jam plotësisht i lumtur me paraqitjen. Është e vështirë të luash me një skuadër si kjo. Nuk e kuptoj pse luajnë ashtu si luajnë me cilësinë që e kanë në skuadër. Mund të luanin futboll të vërtetë, por në vend të kësaj mbrohen shumë dhe kanë kundërsulme”, ka thënë Klopp.

“Ne e pranojmë këtë natyrisht, por s’duket e drejtë sonte. E kuptoj që jam humbës i keq, veçanërisht kur djemtë e mi punojnë aq shumë kundër lojtarëve të klasit botëror, të cilët mbrohen me dy vija të mbrojtjes me nga katër lojtarë”.

“Ne e dimë se në dy vjetët e fundit i kemi pasur disa momente fati në Ligën e Kampionëve. Të duhen momente të tilla për t’i arritur dy finale, por sot ishte gjithçka kundër nesh në momentet vendimtare”.

(Kosova Sot Online )