Koronavirusi e ndal futbollin!

  • 13 March 2020 - 14:46
Koronavirusi e ndal futbollin!

Pas Serie A e La Liga, për shkak të këtij virusi sot janë shtyrë edhe Premierliga, Liga e Kampionëve dhe Liga e Evropës.

Koronavirusi ka lëshuar rrënjë në botën e sportit.

Virusi i përhapur në tërë botën e ka zgjeruar ndikimin e tij në ndërprerjen e aktiviteteve të futbollit.

Serie A ishte e para që i kishte ndërprerë garat pasi Italia është shteti më i prekur në Evropë nga koronavirusi.

Ditë më parë, një vendim të tillë e mori edhe La Liga për shkak të rrezikut të përhapjes së këtij virusi tek lojtarët dhe stafet e ekipeve.

E sot ishte koha që edhe Premierliga të suspendohet deri më 3 prill.

Anglezët e morën këtë vendim pas infektimit me koronavirus të trajnerit të Arsenalit, Mikel Arteta, por edhe të futbollistit të Chelseat, Callum Hudson-Odoi.

Gjithashtu, dyshohet që edhe një futbollist i Evertonit është i prekur nga ky virus.

Disa prej ekipeve angleze kanë përfunduar në vetë-zolim, derisa të bëhen kontrollet e detajuara të lojtarëve.

Ndeshjet janë ndërprerë tashmë edhe në disa prej ligave të tjera evropiane.

Ndër të tjera, sot veproi edhe UEFA.

Në fakt, shtëpia e futbollit evropian vendosi sot që t’i shtyjë ndeshjet e Ligës së Kampionëve dhe Ligës së Evropës, të parapara të luhen javën e ardhshme.

Mesjavën që vjen ishte paraparë të luhen ndeshjet e kthimit të së tetës së finales.

Ndeshjet e kthimit të së tetës së finales Manchester City – Real Madrid dhe Juventus – Lyon, ishin shtyrë tashmë.

Ndërsa, tash u zyrtarizuan edhe shtyrja e ndeshjeve ndërmjet Bayern Munichut me Chelsean dhe Barcelonës me Napolin.

Nuk dihet saktë se kur do të zhvillohen ndeshjet e ardhshme të dy kompeticioneve më të rëndësishme të futbollit evropian.

Në rrezik për t’u shtyrë është edhe Kampionati Evropian i futbollit.

Të martën që vjen, UEFA do ta marrë vendimin final nëse do ta shtyjë apo jo Euro 2020 për vitin 2021.

Gjithashtu, ditëve të fundit janë shtyrë edhe aktivitetet në sportet tjera nëpër botë.

(Kosova Sot Online)