Edhe Man Unitedi anulon stërvitjet për shkak të koronavirusit

  • 17 March 2020 - 11:44
Edhe Man Unitedi anulon stërvitjet për shkak të koronavirusit

Lojtarëve të Manchester Unitedit u janë dhënë ditë të tjera shtesë pushim dhe programe individuale për t’u stërvitur në shtëpi, pas këshillave të fundit të qeverisë britanike lidhur me krizën e virusit Covid-19.

Të hënën, kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson, i këshilloi të gjithë të rrinë larg zyrave, restoranteve, teatrove dhe lokaleve në mnëyrë që të ndërmerren aksione drastike si reagim ndaj përhapjes së shpejtë të koronavirusit në Britani.

Një numër i klubeve të Premierligës i ndaluan seancat stërvitore javën e kaluar, përderisa lojtarët e tyre u vetizoluan. Por, përkundër që mbi 1500 persona janë prekur nga ky virus në Britani, djemtë e Ole Gunnar Solskjaer vazhduan të stërviten si zakonisht në kampin “Carrington”.

Klubi i kishte rritur masat parandaluese në atë kamp duke i kërkuar vizitorëve të plotësojnë formularë për të deklaruar se nga cili vend po vizitonin, në mënyrë që të mbrohen lojtarët dhe stafi nga virusi Covid-19.

Megjithatë, pas këshillave të fundit nga qeveria, të gjithë lojtarët e të gjitha grupmoshave të ndryshme janë udhëzuar të qëndrojnë në shtëpi.

Për momentin, skuadra e ekipit të parë i ka marrë edhe tre ditë të tjera pushim për shkak të kësaj situate. Megjithatë, për t’u siguruar që të gjithë do të jenë në formë për t’ia rinisur më vonë sezonin, lojtarët u janë dhënë programe individuale. 

(Kosova Sot Online)