Koronavirusi e 'detyron' Ibrahimovicin t’i varë atletet përfundimisht!

  • 21 March 2020 - 15:35
Koronavirusi e 'detyron' Ibrahimovicin t’i varë atletet përfundimisht!

Erdhi në Milano me shpresën që të luajë deri në qershor të vitit 2021, por duket se Ibra do t’i japë fund karrierës më shpejt se që është raportuar

Sipas “Gazzetta dello Sport”, Zlatan Ibrahimovic mund të tërhiqet nga futbolli i luajtur në fund të sezonit.

Kur u afrua në Milano nga dyshja Boban-Maldini, u mendua që do të ishte në qendër të rindërtimit të skuadrës, por pandemia e Koronavirusit i ka ndryshuar planet gjigantit suedez, që në janar firmosi për gjashtë muaj me opsion rinovimin edhe një vit tjetër.

Ibra po e mendonte tërheqjen para se të firmoste me Milanin, por me situatën e re të krijuar vendimi për të varë këpucët në gozhdë, sipas të gjitha gjasave, do të vijë në verë.

Kontributi i tij do të jetë përcaktues për Milanin për ta mbyllur sezonin në zonën europiane.

Ibra e ka veshur fanellën e nëntë klubeve gjatë karrierës.

Më së shumti gola për një klub ka shënuar në Francë, me PSG-në, 156 gola në 180 paraqitje, teksa ka qëndruar katër sezone.

Ibrahimovic, PSG, 2012-2016

Aq kishte qëndruar edhe te Ajaxi, nga 2001 deri 2005 ku kishte shënuar 48 gola në 110 paraqitje.

Ibrahimovic, Ajax 2001-2005

Te Malmo, ku mori hapat e parë të futbollit profesionist, Ibra ka luajtur tri sezone, ka shënuar 18 gola në 47 paraqitje.

Ibrahimovic, Malmo 1999-2001

Dy sezone ka luajtur në Juventus ku ka shënuar 26 gola në 92 paraqitj.

Ibrahimovic, Juventus 2004-2006

Më pas është transferuar te Interi në vitin 2006 ku për tri sezone arriti të shënojë 66 gola në 117 paraqitje.

Inter, 2006-2009

Një vit para se Interi të shkruajë histori dhe të fitojë tripletën, Ibrahimovic u largua për Barcelonën, pra në vitin 2009, atje ku hasi menjëherë në probleme me Pep Guardiolën, që i kushtoi atij me largim nga Camp Nou, u rikthye në Milano, por kësaj radhe për ta veshur fanellën e Milanit.

Barcelona, 2009-2010

Gjatë periudhës së parë në Milan dhe tani që disa muaj, Ibra ka bërë 95 paraqitje dhe ka shënuar 60 gola.

Milan, 2010-2012 & 2019/20

Ibra e ka veshur edhe fanellën e Manchester United, ku për një sezon e gjysmë, bëri 53 paraqitje, shënoi 29 gola dhe fitoi tre trofe me Jose Mourinhon.

Manchester United, 2016-18

Më pas u transferua në Amerikë te LA Galaxy ku bëri 58 paraqitje dhe 53 gola, por i mungonin netët e zjarrta të Serie A dhe u rikthye te Milani aty ku tani po mendon që t’i varë përfundimisht atletet. 

(Kosova Sot Online)