Rusia dhe Katari mohojnë t’i kenë korruptuar zyrtarët e FIFA-s

  • 08 April 2020 - 09:34
Rusia dhe Katari mohojnë t’i kenë korruptuar zyrtarët e FIFA-s

Zyrtarët nga Rusia dhe Katari i kanë mohuar pretendimet e Departamentit të Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që i akuzoi Rusinë dhe Katarin se e kishin fituar të drejtën e organizimit të Kupave të Botës 2018 dhe 2022 duke u dhënë ryshfete zyrtarëve të FIFA-s.

Në padinë e Departamentit të Drejtësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës pretendohet se Rusia dhe Katari ofruan dhe paguan ryshfete për t’i siguruar votat në procesin që bëri që atyre t’u jepet e drejta e organizimit të Kupës së Botës 2018 dhe 2022.

Dokumenti, i sjellë nga prokurorët federalë në Nju Jurk si pjesë e një hetimi për korrupsion brenda organeve qeverisëse të futbollit, pretendon se disa ish-anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s iu ofruan dhe pranuan ryshfete në këmbim për votat e tyre.

Thuhet se ish-presidenti i Federatës së Futbollit të Brazilit, Ricardo Teixeira, ish-presidenti i ndjerë i CONMEBOL-it (Konferedeta e Futbollit e Amerikës së Jugut, e njëjtë si UEFA në Evropë) Nicolas Leoz dhe një person tjetër kishin pranuar ryshfete për t’ua siguruar votat Katarit për Kupën e Botës 2022.

Ish-zëvendëspresidenti i FIFA-s dhe ish-presidenti i CONCACAF (Konfederata e Futbollit e Amerikës së Veriut, Amerikës Qendrore dhe Karaibeve) Jack Ëarner gjithashtu akuzohen se ishin paguar rreth 5 milionë dollarë në këmbim për t’ia dhënë votën e tyre Rusisë për organizimin e Kupës së Botës 2018.

Ndërsa, Rafael Salguero, ish-presidenti i Federatës së Futbollit të Guatemalës, i cili e kishte pranuar se kishte marrë ryshfete për ta votuar Rusinë për Kupën e Botës 2018, raportohet se ishte paguar me rreth 1 milion dollarë.

Për më tepër, disa ish-ekzekutive të 21st Century Fox akuzohen nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së se kishin paguar ryshfete në tentim për të marrë informata sekrete të procesit së FIFA-s për ndarjen e të drejtave televizive për Kupat e Botës 2018 dhe 2022.

Megjithatë, Kremlini ka insistuar se nuk kishte bërë asgjë gabim gjatë procesit të marrjes së Kupës së Botës, përderisa edhe zyrtarët nga Katari e kanë thënë të njëjtën gjë. 

(Kosova Sot Online)