Ylli i Kombëtares dëshiron ta mbyllë karrierën te Feronikeli

  • 12 April 2020 - 22:41
Ylli i Kombëtares dëshiron ta mbyllë karrierën te Feronikeli

Herolind Shala dëshiron t’i japë fund karrierës duke e bartur fanellën e Feronikelit në IPKO Superligën e Kosovës.

Lajmi është konfirmuar në faqen zyrtare të Feronikelit.

“Të shumtë janë ata qe kane arritur gjithçka në jetë nëpërmjet futbollit, disa nga ta edhe majat e botës nëpër top klube evropiane e botërore, por të rrallë janë ata që nuk i harrojnë asnjëherë rrënjët e tyre”, shkruan Feronikeli në faqen zyrtare.

“Ndër ta është edhe mesfushori i Kosovës, Herolind Shala, i cili së fundmi në një intervistë është shprehur që do të donte ta përfundonte karrierën te klubi i Feronikelit”, vijon në faqen e Niklit.

“Është kënaqësi e jashtëzakonshme që një futbollist si ai vazhdon të jetë me këmbë në tokë, duke mos harruar asnjëherë prejardhjen e tij drenicase. Kjo në fakt nuk është hera e parë që Shala shpreh admirim për klubin e FC Feronikelit, pasi që dashurinë për Niklin e ka dëshmuar edhe shumë herë të tjera. Ai padyshim që është i mirëseardhur në klubin e tij të zemrës dhe i dëshirojmë edhe më shumë suksese e në veçanti shëndet në karrierën e tij”, njofton klubi nga Drenasi.

28 vjecari aktualisht është pjesë e Vålerengas në Norvegji, ku ka bërë 22 paraqitje dhe ka shënuar 6 gola.

Ai është pjesë edhe e Kombëtares së Kosovës, deri më tani e ka veshur 16 herë fanellën e ‘Dardanëve’. 

(Kosova Sot Online)