Ylli i Leipzigut paralajmëron Bayernin: Ne jemi gati

  • 25 April 2020 - 21:35
 Ylli i Leipzigut paralajmëron Bayernin: Ne jemi gati

Mesfushori amerikan i Leipzigut, Tyler Adams, është duke e shijuar garën kundër Bayern Munichut për trofeun e Bundesligës dhe ka thënë se ai dhe skuadra e tij do të ishin gati qysh nesër ta rinisnin kampionatin gjerman.

Klubet në ligën elitare të Gjermanisë i kanë rinisur seancat stërvitore në grupe të vogla të lojtarëve, përderisa drejtori ekzekutiv i Bundesligës, Christian Seifert, thotë se liga mund të rinisë qysh më 9 maj nëse liga dhe Federata e Futbollit marrin aprovimin nga qeveria.

Adams thotë se ai do të ishte shumë i lumtur nëse vendoset të riniset kampionati sa më shpejt, mirëpo për momentin është thjesht duke e shijuar faktin që është kthyer në fushën e futbollit me bashkëlojtarët e tij.

“Situata në të cilën jemi aktualisht është thjesht pak e çuditshme”, ka thënë Adams, në një intervistë të dhënë për Transfermarkt.

“Shumë njerëz janë duke folur për faktin që tani nuk po ka sporte drejtpërdrejt dhe se si nuk po ka shumë gjëra që po ndodhin, por ne duhet ta vlerësojmë jetën e njeriut më së shumti”.

“Ne patëm mundësi të kthehemi në seanca stërvitore me një buzëqeshje në fytyrën tonë dhe ka qenë një ndjenjë shumë e mirë që kemi pasur mundësi t’i shohim fytyrat e disa bashkëlojtarëve”.

“Nëse ndeshjet do të nisnin nesër për shembull, mendoj se ne do të ishim gati për të luajtur. Skuadra jonë e ka një mentalitet të fuqishëm dhe forma nuk ka rëndësi në të vërtetë”.

(Kosova Sot Online)