Zbardhet shkaku i vdekjes së Kobe Bryant, të bijës dhe pasagjerëve të tjerë që udhëtonin me ta

  • 16 May 2020 - 18:54
 Zbardhet shkaku i vdekjes së Kobe Bryant, të bijës dhe pasagjerëve të tjerë që udhëtonin me ta

Pothuajse katër muaj pas aksidentit me helikopter ku humbën jetën basketbollisti Kobe Bryant, vajza e tij, piloti dhe gjashtë pasagjerë të tjerë, kanë dalë rezultatet e autopsisë. Shkaku i vdekjes për nëntë viktimat është vërtetuar të ketë qenë trauma e fortë.

Raporti i autopsisë vërtetoi edhe se piloti 50-vjeçar, Ara Zobayan rezultonte negativ ndaj drogës dhe alkoolit.

“Më 28 janar, shkaku i vdekjes së nëntë viktimave u vërtetua si trauma e fortë. Mënyra e vdekjes u vërtetua si një aksident.” –thuhej në rezultatet e autopsisë së publikuar në faqen online të Los Angeles County Medical Examiner-Corone.

Helikopteri ku udhëtonin viktimat u përplas me një kodër, për shkak të mjegullës së madhe.

Avokatët e vejushës së Kobe Bryant, Vanessa Bryant, kanë ngritur një padi kundër kompanisë që zotëronte helikopterin. Në padi thuhet se drejtuesi i helikopterit, Zobayan, i cili gjithashtu ndërroi jetë gjatë aksidentit, nuk e kishte kontrolluar motin para se të nisej.

(Kosova Sot Online)